Manastiri i Ardenicës, qendër e rëndësishme fetare, historike dhe kulturore

Nga Ilirjan Gjika
Në perëndim të rrethrrotullimit të Kolonjës përgjatë autostradës Lushnje-Fier ngrihet vargu kodrinor i Ardenicës. Pikërisht aty, në lartësinë 237 m mbi nivelin e detit ndodhet në një pozitë dominuese mbi fushën e gjerë, manastiri ‘’Lindja e Hyjlindjes’’ së Ardenicës.

Objekti i kultit mban emrin e Marisë Hyjlindisë, ashtu si shumica e kishave të trevës së Myzeqesë, në të cilën ajo njihet si mbrojtëse e veprimtarisë kryesore ekonomike të kësaj krahine: bujqësisë. Edhe pse në pamje të parë të lë përshtypjen e një objekti kulti të zakonshëm, manastiri, fsheh në brendësi të tij vlera mjaft të mëdha. Sa më shumë të futesh në ‘’labirinthet’’ e historisë së tij aq më shumë dalin në pah vlerat dhe misteret e tij.

1

Historia e këtij manastiri i ka rrënjët që nga mesjeta por data e saktë e ndërtimit apo themelimit të tij nuk dihet. Kështu, Anthim Aleksudhi mitropoliti ortodoks i Beratit, në librin e tij “Përshkrim i shkurtër historik i mitropolisë së shenjtë të Beratit”, botuar në Korfuz në vitin 1868, tekson se manastiri duhet të jetë ndërtuar vonë gjatë mbretërimit në Epir dhe në Shqipëri të hegjemonëve dhe perandorëve të Kostandinopojës (Anthimos D. Alexoudes, Syntonos Historike Perigrafe Tes Hieras Metropoles Belegradon, H Ionia, Kerkyra 1868, f. 74).

Ndërkohë që ekziston një gojëdhanë se themelet e këtij manastiri janë hedhur në vitin 1282 me nismën e perandorit Andronik II Paleolog të Bizantit (Stilian Adhami, Një ansambël monumental në Myzeqe, Tradita Ndërtimore në Shqipëri, ‘’8 Nëntori’’, Tiranë 1981, f. 18).

Po kështu rreth origjinës së tij, studjuesit më në zë të monumenteve të kulturës në Shqipëri theksojnë se manastiri është ndërtuar në mesjetën e mesme ( A. Baçe, A. Meksi, E. Riza, Gj. Karaiskaj, P. Thomo, Historia e Arkitekturës Shqiptare, maket, Instituti i Monumenteve të Kulturës, Tiranë 1979, f. 279). Por mendimi që vjen nga të dhënat e studimeve të bëra në vitet 80’ të shëkullit të kaluar thekson se manastiri është themeluar diku në shekujt XIII-XIV ndoshta në kohën e zotërimeve në Myzeqe të familjeve feudale të Muzakajve dhe Matarangëve (Reshat Gega, Arkitektura dhe restaurimi në manastirin ‘’Fjetja e Shën Mërisë’’ në Ardenicë, Monumentet, 1, Tiranë 1988, f. 157).

Kurse të tjerë mendojnë se ai mund  të jetë ndërtuar edhe në kohën e Despotatit të Epirit në shekullin e XIII (Skëndër Mihalçka, Manastiri i Ardenicës dhe konservimi i skulpturave murale të tij, Monumentet, 2, Tiranë 1986, f. 77). Të tjera hipoteza aludojnë se manastiri mund të jetë ndërtuar në themelet gërmadhë të një tempulli pagan, i cili ka qenë ndërtuar për nder të hyjneshës Artemisa nga ka rrjedhur dhe emri i sotëm Ardenica. Një gjë të tillë e përforcon fakti se pranë manastirit në perëndim të tij, në rrëzë të kodrave të Libofshës dikur kalonte një nga degët jugore të rrugës antike Egnatia, e cila gjatë mesjetës u quajt fillimisht si ‘’Rruga Mbret’’ dhe më vonë ‘’Rruga e Muzakias’’.

Ndërkohë që të tjerë studjues e lidhin emrin e Ardenicës me atë të qytetit antik të Arnisës e cila shënohet në hartat në krahun e majtë të Shkumbinit (Piro Thomo, Një ansambël monumental në Myzeqe, Tradita ndërtimore në Shqipëri, Tiranë 1981, f. 19).

Ndërsa Theofan Popa në librin e tij ‘’Mbishkrime të Kishave të Shqipërisë’’ thekson se ‘’Fjala Ardenicë vjen nga fjala greke që do të thotë freksuese, në kuptimin që Shën Mëria me lutjet e saj i freskon besnikët nga zjarri i mëkateve (Theofan Popa, Mbishkrime te Kishave të Shqipërisë, Akademia e Shkencave të Shqipërisë, Tiranë 1998, f. 95).

2

Manastiri i Ardenicës vërtet i përket periudhës bizantine por formën e tij të sotme ai e ka marrë gjatë shekullit të XVIII. Në librin e tij, Anthim Aleksudhi, na dëshmon se kisha e Shën Mërisë u rindërtua në vitin 1743, ndërsa manastiri u restauruan në vitin 1778 (Alexoudes, f. 74). Ndërsa Llukë Karafili që shkruante me emrin Bardhyli në artikullin e tij të vitit 1938, kur përmend manastirin e Ardenicës thekson midis të tjerave se, Kurt Pasha ‘’…urdhëroi ndreqjen e dhomave dhe të kthyerën e Portës nga Juga që më parë ish nga Veriu bashkë me konakët mbi portën…’’ (Bardhyli, Historija e Bibljotekave në Shqipërie, Hylli i Dritës, 1938, nr. 4, f. 168).

Por mbishkrime të tjera brenda manastirit tregojnë se gjatë shekullit të XVIII ka patur edhe rindërtime të tjera. I tillë është edhe ai i hajatit perëndimor që tregon se ai së bashku me çardakun u rindërtua në vitin 1754 (Theofan Popa, f. 101).

Përsa i përket mbishkrimeve të cilat janë të gjithë në gjuhën greke, më i vjetri në kohë, është ai i datës 1 maj 1477 (Aleksudes, 74). Ky mbishkrim gjendet mbi hyrjen qëndrore të Manastirit që gjendet në drejtim të lindjes dhe ka të bëjë me një rindërtim të manastirit. Një mbishkrim tjetër ndodhet në brendësi të naosit mbi portën kryesore të tij dhe na jep datën 1743-1744, që është edhe periudha e pikturimit të kishës së Shën Mërisë nga vëllezërit piktorë Kostandin dhe Athanas Zografi. Në manastir ndodhen edhe dy pllaka me data të ndryshme që i përkasin shekullit XVIII. Njëra pllakë, është ajo e mësipërmja e datës, ndërsa tjetra që mbart datën 1770 ndodhet në një nga harqet e furrës. Datimet të ndryshme kishte edhe në kambanat që përdorte manastiri apo kandilët e ikonostasit (Theofan Popa, f. 94-101). Po kështu datime kishin edhe kandilët dhe kambanat. Aleksudhi na bën me dije se në kambanore, këmbana e madhe datonte në vitin 1708 ndërsa kambana e vogël në vitin 1738 (Aleksudes, 74).

3

????????????????????????????????????

Manastiri i Ardenicës zë një sipërfaqe prej 2.500 m2 së bashku me objektet e tij si dy kishat, konakët dykatësh, depot, qilarët, furra, stalla, mulliri i vajit, sterat e ujit dhe hyrja në formë galerie e mbuluar me qemer cilindrik (Reshat Gega, f. 141).

Po kështu, manastiri konsiderohet nga studjuesit edhe edhe si ‘’ansambël unikal arkitektonik’’, ku përveç objekteve të tjera ishte i pajisur edhe me dhoma dhe hajate për banim, dhoma për klerikët, qeli për murgjit si dhe kishte edhe ndërtime që shërbenin për qëllime kulturore si shkolla dhe biblioteka (Skëndër Mihalçka, f. 77).

Në qendër të këtij objekti kulti ndodhet kisha “Lindja e Shën Mërisë”, e cila është ndërtuar me gurë shtufi dhe të bardhë. Ndërsa absida është punuar me gurë të bardhë me elementë dekorativë (Skënder Mihalçka, f. 78).

Kisha e Shën Mërisë është një bazilikë trenefëshe me përmasa 24.35 m gjatësi dhe 10.80 m gjerësi. Ajo është ndërtuar në vitin 1743 në kohën e mitropolitit të Beratit Metodit. Një gjë të tillë e tregon mbishkrimi i vendosur në pjesën e jashtëme të murin lindor të sa (Theofan Popa, f. 97).

Kisha zë një vëllim të madh dhe është e mbuluar nga një çati druri me tavan të rrafshët. Mjediset që përbëjnë këtë kishë janë: naosi, narteksi dykatësh, dhoma e pagëzimit, hajati perëndimor, hajati jugor dhe këmbanorja (Reshat Gega, f. 145).

Naosi përbëhehet nga tre anijata, të cilat ndahen në dy rreshta kolonash prej druri dhe përbëhet nga tre hyrje si ato që ndodhen në veri, jug dhe në perëndim të tij. Ai veçohet nga altari me anë të ikonostasit ndërsa dyshemeja e kishës është shtruar me pllaka guri gëlqeror. Në qëndër të naosit ndodhet një rozetë e punuar me pllaka guri ( Po aty, f. 145).

Në pjesën perëndimore të nartekstit (parasallës) ndodhen edhe dy varret e peshkopëve të Beratit, Joasafit dhe Metodit (Kristofor Beduli, Episkop Irine Banushi, KOASH, Tiranë 2000, f. 80). Anthim Aleksudhi na tregon se kjo kishë e shkatërruar nga faktorët natyrorë u rindërtua në vitin 1743, ndërsa ‘’qoshet e manastirit, dhomat dhe qelitë e tij’’ u restauruan në vitin 1778 (Alexoudes, f. 74).

Kisha e Shën Mërisë është zbukuruar me afreske të mrekullueshme nga krijimtaria e piktorëve Kostandin dhe Athanas Zografi. Këta piktorë korçarë punuan për zbukurimin e këtij tempulli në vitin 1744. Veprimtaria artistike e ateliesë së piktorëve Zografi është shpalosur në bazilikat e Voskopojës, Vithkuqit, në Myzeqe dhe në malin Athos në Greqi, ku shkuan disa herë dhe shfaqën talentin e tyre të fuqishëm, nëpër kishat dhe manastiret e atjeshme. Piktura e Zografëve cilësohet nga specialistët si vazhdim i traditës më të mirë të pikturës kishtare në vendin tonë. Tematika pasqyron ngjarje nga Dhjata e Vjetër dhe Dhjata e Re, dogmatika, liturgjia, jeta e shenjtorëve, etj. Disa nga skenat janë “Festat e Virgjëreshës”, skenat nga “Jeta dhe vuajtjet e Krishtit”, “Fjetja e Shën Mërisë”, “Zbutja e shpirtit të shenjtë tek apostujt”, etj.

Në brezin e fundit, ndërmjet figurave të shenjtorëve është pikturuar muzikologu i shquar bizantin nga Durrësi Johan Kukuzeli. Në narteks, në të gjithë faqen lindore paraqitet skena e madhe që titullohet “Gjyqi i Fundit”. Krahas afreskeve një vend të rëndësishëm në dekoracionin artistik zë edhe ikonostasi i gdhendur në dru, i polikromuar me ar, i cili mban dy radhë ikonash të mëdha dhe të vogla. Zbukurimi i ikonostasit me ikona është realizuar në vitin 1744, ku kanë ndihmuar edhe esnafët e bakërxhinjve dhe muratorëve vozkopojarë, ç’ka tregon lidhjen e tyre shpirtërore me këtë trevë. Ikonat janë vepër e piktorit më të mirë miniaturist të shekullit të tetëmbëdhjetë, Kostandin Shpataraku. Disa nga ikonat janë: “Lindja e Shën Mërisë”, “Krishti në Fron”, “Shën Mëria me Krishtin”, “Johan pagëzori”, “Mbledhja e kryeengjëjve”, “Kryqëzimi”, etj. Interesant është fakti se si në ikonën e Shën Gjon Vladimirit, në një nga ndarjet e cilklit të saj është pikturuar princi shqiptar i shekullit të katërmbëdhjetë, Karl Topia, me kurorë mbretërore në kokë dhe skeptër në dorë, që piktori e quan mbret të Shqipërisë.

Pikturat janë ekzekutuar mbi një shtresë suvaje që mbulon sipërfaqen e brendëshme të mureve (Skëndër Mihalçka, f.78). Suvaja ka një trashësi prej 10-13 mm dhe përbëhet nga dy shtresa. E para me trashësi 10 mm përbëhet nga gëlqere e lidhur me kshtë gruri. Ndërsa e dyta ku janë elzekutuar afresket përbëhet nga gëlqere me trashësi prej 2-3 mm (Skënder Mihalçka-Marita Beci, Rezultate të Ekzaminimit dhe të Punimeve restauruse në pikturën murore të manastirit të Ardenicës gjatë viteve 1984-1985, Monumentet, 2, Tiranë 1988, f. 107)

Po kështu një tjetër objekt është edhe kambanorja. Ajo është 22 m e lartë dhe ndodhet në jug të hajatit perëndimor të kishës (R. Gega, 148).

Ndërsa kisha e Shën Triadhës është një kapelë e cila shtrihet në pjesën verilindore të manastirit dhe ka përmasa 7.50 x 3.70 m. Hyrja e saj është në anën perëndimore dhe është e pajisur me dy dritare të vogla në faqen jugore. Kjo kapelë është ndërtuar me gurë shtufi dhe është e pajisur me një hapësirë, muri gjysmërrethor i së cilës e ndan atë nga një sternë uji. Porta e kapelës është mbuluar me hark guri (Reshat Gega, f. 145).

Kisha e shënTriadhës është rindërtuar në vitin 1922 (Skëndër Mihalçka, f. 76). Në faqen e jashtme të murit jugor të saj janë vendosur disa spolie antike të marra nga Apolonia si dhe një reliev që paraqet ndoshta Shën Gjergjin mbi kalë.

Po këtu gjendet edhe një mbishkrim i gdhëndur në një pllakë guri që mban datën 1 maj 1778. Ai tregon ringritjen nga themelet të godinave përqark të manastirit të cilat u bënë në kohën e peshkopit Joasaf të Beratit (Theofan Popa, f. 107). Ky duhet të ketë qenë Joasafi II i cili e drejtoi Mitropolinë e Beratit në vitet 1772-1800. Ndoshta ky është kleriku i lartë që është varrosur pranë pjesës së jashtëme të absidës së kishës së Shën Mërisë, për varrin e të cilit na njofton imzot Irine Banushi (Kristofor Beduli, Episkop Irine Banushi: martir i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, KOASH, Tiranë 2000, f. 80). Irineu, peshkopi i Apolonisë, kaloi disa kohë në këtë manastir kur ndodhej i internuar vitet 1960 (Andrea LLukani, Krishtërimi në Shqipëri, Botimet Trifon Xhagjika, Tiranë 2012, f. 323).

Ndërkohë që dy Mitropolitë të tjerë kanë qenë edhe Metodit që e drejtoi këtë mitropoli në 1736-1751 dhe Joasafit që e drejtoi në dy periudha: 1752-1759 dhe 1765-1767 (Andrea LLukani, f. 320). Si duket këta janë dy kerikët e lartë që janë varrosur në narteksin e kishës së Shën Mërisë.

Imzot Irineu, thekson se në vendin ku është ngritur Shën Triadha ndodhej kisha e parë e manastirit (Kristofor Beduli, f. 81).

Ndërkohë që në mungesë të burimeve ujore manastiri përdorte stera për mbledhjen e ujit të shiut. Janë katër të tilla nga të cilat mund të përmendim sterën pus, atë jugore që ndodhet ngjitur me kishën e madhe, sterën ngjitur me kishën e vogël, etj (Reshat Gega, f. 149-150).

4

Manastiri i Ardenicës ka qenë mjaft i përmendur për pasurinë e bibliotekës së tij. Deri nga Greqia vinin në Ardenicë murgj dhe priftërinj për të studiuar në këtë bibliotekë. Kjo u pasurua me një fond të madh librash gjatë shekujve XVII – XVIII, sidomos nga ndihmat e shoqërisë voskopojase “Shoqata e Manastirit të Ardenicës”, e cila i sillte librat jo vetëm nga Europa Perëndimore, por edhe nga Hungaria e Polonia.

Anthim Aleksudhi i cili ka parë korrespondencën që ekzistonte në arkivin e manastirit se për këtë institucion fetar, vinin ndihma financiare gjatë shekujve XVII-XVIII, nga një shoqatë me qëndër në Hungari dhe Poloni. Anëtarët e saj ishin voskopojarë që merreshin me tregti në këto vende dhe ndihmat që mblidhnin në këto vend ja dërgonn manastirit me miqtë dhe të afërmit e tyre ne Shqipëri. Emrat e tyre ishin shkruar në diptikun e manastirit dhe përkujtoheshin me nderim edhe në ceremonitë fetare që organizoheshin në Ardenicë (Alexoudes, f. 75).

Kjo bibliotekë, që ishte një thesar i çmuar kulturor me 32.000 vëllime, u dogj nga zjarri në vitin 1932. Për ekzistencën e kësaj bibliotekë na dëshmon arkeologu i njohur Leon Rei, drejtuesi i misionit arkeologjik francez të Apolonisë në vitet 1924-1938. Në ditarin e tij ai na tregon se, diku nga fundi i viteve 1920, kur kishte nisur të organizonte fushatat e gërmimeve në Apolloni, e lajmëruan në mënyrë konfidenciale se, në bibliotekën e Manastirit të Ardenicës ishte një kodik i vjetër, që fliste për hitorinë e Apolonisë. Për të parë këtë kodik, Leon Rei shkoi në Ardenicë ku nga studimi i tij ka lënë edhe shënimet përkatëse, në të cilin flitej për historinë e krishtërimit në Apoloni dhe murgun Polian  (Leon Rei, Hyjnitë kishin të drejtë, Shtëpia Botuese Dituria, Tiranë 2013, f. ).

Por manastiri i Ardenicës ka qenë edhe një vend arsimi dhe kulture. Shkolla e tij u hap në shekullin e XIII. Deri në vitn 1684 këtu shkolloheshin klerikët e Myzeqesë dhe Beratit nga të cilët mund të përmendim Dionisin, Joasafin, Metodi dhe Metodi II (Bardhyli, f. 169).

Gjatë Rilindjes Kombëtare, shkolla e Manastirit të Ardenicës, do të bëhet një nga vatrat e mësimit të gjuhës shqipe, nga ku do të dalin një brez i tërë shkollarësh. Në fillim të shekullit të XX në këtë shkollë dha mësim të fshehta të gjuhës shqipe edhe Jani Minga, një nga personalitet e periudhës së fundit të Rilindjes Kombëtare.

Po gjatë kësaj kohe krahas në dhjetëvjetëshin e parë të këtij shekulli në shkollën e Ardenicës gjejmë si mësues një sërë personalitete rë arsimit  të krahinës së Myzeqesë si: Anastas Laska, Kozma Dhima, Spiro Saqellari, Papa Isaia, etj (Naun Kule, Rrëfimet e Ardenicës, KOASH, Tiranë 1999, f. 66).

Në këtë periudhe, shkruan autori Naun Kule, ‘’…shkolla e Ardenicës kishte mbi 200 konviktorë, shkollë me gjuhë të dytë frëngjishten dhe me drejtor Mësuesin e Popullit Jani Mingën’’ (Naun Kule, Mësonjtorja e parë shqipe në Myzeqe, Globur R, Tiranë 2008, f. 18)

Kjo shkollë si ç’shihet edhe nga një sërë dokumentash të kohës dhe pamjesh të fiksuara në foto do të ushtronte aktivitetin e saj në manastirin e Ardenicës edhe gjatë gjithë gjysmës së parë të shekullit XX.

5

Së bashku me vlerat arkitektonike dhe historitë e tij, sot, manastiri i Ardenicës shërben si një muze i hapur për të gjithë. Vizitorët mund të shohin nga afër kishën e Shën Mërisë, afresket e saj, ikonostasin, anvonin dhe fronin peshkopal të gdhëndur me dru are, varret e tre peshkopëve: Metodit, Joasafit dhe Joasafit II.

Të tjera ambiente janë edhe kapela e shën Triadhës, hajatet, këmbanorja, mbishkrimet, spoliet dhe relievet antike të murosura. Po kështu në hyrje të manastirit sapo futesh në portën e tij ndodhet mulliri i vajit, një vepër e mirëfilltë e ‘’inxhinjerisë popullore’’. Në bodrumin e mbuluar me qemer ku gjendet ai mund të gjesh një sërë objektesh antike. Të tilla janë një gur miljar i rrugës Egnatia, disa anfora vaji, trungje kolonash, kapitelesh, kryqe të dikurshëm varresh, relieve me mbishkrime, etj.

Dëshmi tjetër, për rëndësinë e këtij manastiri është dhe e dhëna burimore se në altarin  kishës së Manastirit të Ardenicës, është bërë edhe kurorëzimi i martesës së heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastriotit-Skëndërbeut me Donika Arianitin. Ceremoniali mendohet se u zhvillua në mesditën e 26 prillit 1451, në prani të princave shqiptarë dhe ambasadorëve të Napolit, Venedikut, Raguzës. Këtë të dhënë verbale e përmendin për herë të parë në shkrimet e tyre një sërë autorësh të huaj dhe shqiptarë të të shekujve XX-XXI.

Po kështu nga Ardenica mund të shihen lehtësisht edhe Dajti, mali i Tomorrit, malet e Labërisë, bregdeti i Adriatikut, laguna e Karavastasën dhe gjithë Myzeqeja. Të gjitha këto e bëjnë manastrin një vend të vizituar edhe për turizmin shplodhës dhe argëtues, vlerat e të cilit ia shton edhe pylli halor dhe ullishtat që ndodhen në bregoret përrreth tij. I tillë ka qenë dhe mbetet manastiri i Ardenicës, një vend pelegrinazhi jo vetëm fetar por edhe historic dhe kulturor.

* Artikulli botohet përpunuar pas publikimit të tij të parë në vitin 2002, me titullin ‘’Manastiri i Ardenicës, tetë shekujt e metamorfozës’’.

Go to TOP