SPORT

Man Utd konfirmon transferimin e parë të verës

Manchester Unitedi ka siguruar firmën e portierit të ri dhe shumë të talentuar, Radek Vitek.

16-vjeçari nga Çekia do të lë skuadrën Sigma Olomouc për të kaluar në korrik në klubin nga Old Traffordi.

Vitek është shumë i gjatë, ndërsa vlerësohet me të ardhme shumë të ndritur. Ai ka thënë se mezi pret të kalojë në klubin e madh anglez në verë.

“Është ndjenjë e pabesueshme. Kalimi te Unitedi është ëndërr për shumë djem që nisin të luajnë futboll. Unë vërtetë po shikoj para drejt kësaj sfide. E pranoj që nuk kam besuar kur kam kuptuar për interesin e Unitedit. Por tani është realitet”, ka thënë Radek Vitek, përcjell The Sun të martën.

Drejtori sportiv i klubit çek Sigma Olomouc, Ladislav Minar ka shtuar: “Jam i lumtur të them se Sigma është në gjendje të dërgoj një prej lojtarëve të klubit në një top-klub evropian. Transferimi i një lojtari në moshë kaq të re, së pari është prestigj, por edhe shpërblim për klubin dhe lojtarin. Ka të bëjë edhe me aspektin financiar. Nëse Radek do të luajë për Unitedin në të ardhmen, apo do të transferohet në një klub tjetër, Sigma do të ketë interes të madh financiar”.

Vitek fillimisht do të ketë bursë te Unitedi, ndërsa pritet të bashkohet me Akademinë e klubit.