SHËNDETËSIA

Malli i infermieres së shëruar nga COVID-19 për vajzën 2-vjeçare

Privimi nga përqafimi i vajzës së saj 2-vjeçare ka qenë sprova më e madhe për Besarta Qardakun, e cila këtë të martë është liruar si e shëruar nga COVID-19.

Pas 12 ditëve qëndrimi në Klinikën Infektive, infermierja e Qendrës Emergjente është liruar nga Klinika Infektive, transmeton KOHA.

E ndonëse këtë të martë ajo në distancë u prit me një festë në shtëpi, vajza e saj 2 vjeç e gjysmë do të vazhdojë të qëndrojë edhe 10 ditë të tjera pa nënën e saj.

“Stresi që më ka dhënë ky virus është malli për vajzën”, tha Qardaku.

Dhimbjet e fytit ishin simptomat e para të këtij virusi sipas Qardakut.

Derisa ajo thotë se persona të cilët nuk kanë sëmundje kronike këtë virus mund ta kalojnë më lehtë.

Kosova në 24 orët e fundit ka shënuar numër rekord të të shëruarve nga COVID-19.

Sipas të dhënave të IKSHPK-së, 35 persona kanë rezultuar negativë në testet që janë bërë bazuar në rekomandimet e OBSH-së, ku dy mostra duhet të rezultojnë negative brenda një distance kohore prej së paku 1 dite.

Në mesin e të shëruarave janë edhe pjesëtarë të stafit shëndetësor në QKUK.

Ndërsa nga Klinika Infektive janë liruar 11 pacientë, 6 prej tyre të shëruar tërësisht.

“Që nga fillimi i epidemisë, sot kishin numrin më të madh të të liruarve nga Klinika, 11”, tha Valbon Krasniqi, infektolog.

Deri më tani në Kosovë janë mbi 200 persona të shëruar.

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.