Kosova

Maliqi: BE i ka mbyllur dyert për Ballkanin edhe për 10 vite

Kosova është zotuar se do të bëhet pjesë e Mini-Schengenit Ballkanik, por kryeministri i vendit Avdullah Hoti thotë se kjo nismë është e përkohshme. Njohësit e çështjeve politike thonë se vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të bëhen pjesë e kësaj nisme, pasi anëtarësimi në Bashkim Evropian është i largët.

Bashkimi i Kosovës me zonën e “Mini-Schengenit” ballkanik, është një prej zotimeve që delegacioni qeveritar ka nënshkruar në kuadër të Marrëveshjes së Uashington. Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, i cili para pak kohësh ishte kundër kësaj nisme, tani thotë se bëhet fjalë për një iniciativë të përkohshme.

“Për çështjen e Mini-Schengenit. Ne e kemi marrë siç e dini një zotim që të bëhemi pjesë e kësaj iniciative rajonale dhe të shohim në takimet e liderëve të Ballkanit Perëndimor në të ardhmen, se si Kosova do të bëhet pjesë e kësaj iniciative, në bazë gjithmonë të barabarta. Plotësisht të barabarta sikur çdo vend tjetër. Në orientimin qe ky është një projekt i përkohshme, në afatgjatë ne të gjithë tentojmë të bëhemi pjesë e zonës Schengen Evropiane”, tha kryeministri Hoti.

Njohësi i çështjeve politike, Shkëlzen Maliqi, thotë se nga pamundësia që vendet e Ballkanit Perëndimor të anëtarësohen në Bashkimin Evropian, brenda një kohe të shkurtër, ato duhet t’i bashkohen Mini-Schengenit.

“Momentalisht, dera për anëtarësim nëse jo e mbyllur është e shtyrë për ndoshta një dekadë e më shumë. E ndërkohë, për të mos pritur pa bërë asgjë, të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor që janë në zhvillim e sipër, kanë nevojë për zgjerimin e tregut, për lëvizjen e lirë”, deklaroi për RTV Dukagjinin, Shkëlzen Maliqi. Ndërsa gjatë të mërkurës, kryeministri Hoti ka bërë të ditur se në koordinim me kryeministrin shqiptar Edi Rama, kanë marrë vendim që mbledhjen e dy qeverive shqiptare që do të mbahet në Shkodër, ta shtyjnë për datën  2 tetor. /RTV Dukagjini/

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.