Kosova

Majtistët fitojnë në Norvegji, në koalicion mund të futet edhe Partia e Kuqe komuniste

Kryeministrja konservatore e Norvegjisë, Erna Solberg, ka pësuar humbje në garë me opozitën që anon nga e majta në zgjedhjet e përgjithshme, në fushatën e të cilave mbizotëruan pyetjet rreth industrisë së naftës në shtetin me prodhimin më të madh të karburanteve në Evropë.

“Puna e qeverisë konservatore ka përfunduar për këtë kohë. Dua ta uroj Jonas Gahr Store-n, i cili duket se ka një shumicë të qartë për ndryshimin e qeverisë”, tha Solberg.

Kryetari i Partisë Laburiste, Jonas Gahr Store, i cili e fitoi shumicën e votave në zgjedhje, para përkrahësve tha: “Pritëm, shpresuam, punuam fort dhe tash përfundimisht mund të themi: ia dolëm!”

Megjithatë, forma e saktë  e të ashtuquajturit koalicion kuq e gjelbër, i cili pritet ta udhëheq shtetin skandinav, është ende larg kompletimit.

Sipas rezultateve fillestare, Partia Laburiste do të ketë vetëm 48 ulëse në kuvendin me 169 deputetë, ndërsa koalicioni i saj i preferuar, i përbërë nga tri parti, do të siguronte një shumicë të thjeshtë.

Megjithatë, marrëveshja e mundshme me Partinë e Qendrës dhe Të Majtën Socialiste pritet të ketë pengesa për shkak të disa çështjeve, përfshirë vendimin për të kërkuar ose jo përkrahje edhe nga dy parti tjera të majta, Partinë e Kuqe komuniste dhe Të Gjelbrit, shkruan The Guardian.

“Do të shfrytëzojmë kohë të bollshme për të biseduar me partitë tjera dhe kemi respekt për faktin që kjo nuk është vendosur derisa nuk është vendosur”, tha Store, i cili dikur ka shërbyer si ministër i Punëve të Jashtme.