Bota

Macroni e luan dhelprën në kotecin e BE-së

Presidenti francez, Emmanuel Macron, ka një vizion të madh për politikën e jashtme për Evropën dhe po e shtyn vendosmërisht përpara. Megjithatë, në proces ka zemëruar Gjermaninë dhe aleatët e tjerë të Bashkimit Evropian.

Me mikrofonin në dorën e djathtë dhe të majtën që po e mbante në xhep, presidenti francez po qëndronte në skenë brenda një salle që dikur ishte kasaphane në Paris, duke iu kthyer anëve të ndryshme të audiencës, shkruan sot Koha Ditore.

Dhe ishte alamet audience: sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas, presidenti i Republikës Demokratike të Kongos, dhe politikanë të tjerë të njohur.

Ishte mëngjesi i së martës i një jave më parë dhe Macroni po mbante një fjalim të hapur në Forumin e Paqes në Paris, një ngjarje dyditore që kishte për qëllim t’i bashkonte disa prej hisedarëve kryesorë të skenës botërore. Kjo ishte një sajesë e Qeverisë franceze, një projekt tipik ambicioz i Macronit.

Macroni ka folur rreth 22 minuta për hegjemoninë dhe kolonializmin, për Luftën e Parë Botërore dhe për rënien e Murit të Berlinit. Në mbyllje, citoi filozofen hungareze, të shuar së fundmi, Agnes Heller, e cila, sipas fjalëve të Macronit, ka folur për njëfarë fuqie heroizmi për t’iu kundërvënë përgjigjeve të së tashmes. Ta shikosh me indiferencë të tashmen dhe të ngelësh në shprehitë e vjetra, vazhdoi Macron, nuk është kurrfarë opsioni për krejt ata që kanë marrë mandatin politik prej votuesve të tyre.

Dhe mesazhi që po mundohej ta përçonte Macroni, po vinte nëpërmjet referencës së intelektuales hungareze. Unë, Emmanuel Macron, duket se donte të thoshte, nuk kam bërë asgjë në intervistën time në “Economist”, të kritikuar gjithandej, përpos se e kam theksuar nevojën për një qasje troç ndaj së tashmes së zhytur në krizë dhe gatishmërisë së gjermanëve për të bashkëpunuar drejt një Evrope të fuqishme dhe sovrane.

Rrallëherë ka rastisur që një intervistë të shkaktonte më shumë debat të madh në Evropë sesa ajo e Macronit në “Economist”, duke u kthyer në lajm të madh të enjten e javës së kaluar. Aty, presidenti i Francës tha se NATO-ja ka pësuar “vdekje klinike”, duke vënë dyshim edhe në nenin e pestë të NATO-s dhe paralajmëroi për të ardhme të mundshme apokaliptike për Evropën.

“Nuk bëhet kështu”

Besohet, sipas disa burimeve në Paris, se Ministria e Jashtme franceze ishte informuar për përmbajtjen e intervistës së Macronit vetëm 48 orë para se të publikohej. Berlini, njëherësh nuk kishte kurrfarë informacioni..