Bota

Macron i bën thirrje Iranit të respektojë detyrimet bërthamore

Presidenti francez, Emmanuel Macron, i ka bërë thirrje Iranit të respektojë detyrimet e tij bërthamore, derisa bota ka përqendruar vëmendjen e saj në pandeminë e koronavirusit.

Gjatë një telefonate me presidentin Iranian, Hassan Rohani, Macron ka thënë se bashkësia ndërkombëtare duhet të bashkohet për të luftuar përhapjen e virusit.

Macron shpreson që Irani “të kthehet në respektimin e detyrimeve të tij bërthamore, të përmbahet nga marrja e masave të reja në kundërshtim me Planin e Përbashkët të Veprimit (JCPOA) dhe të kontribuojë në lehtësimin e tensioneve rajonale”, thuhet në një deklaratë të qeverisë.

Zyra e Rohanit tha se gjatë bisedës, presidenti iranian bëri thirrje për një luftë të koordinuar ndërkombëtarisht kundër koronavirusit të ri dhe i kërkoi Macronit mbështetje.

“Pa bashkëpunim global dhe shkëmbim të përvojave tona, ne nuk mund t’i dalim në ballë kësaj faze kritike”, ka thënë Rohani.

Më 6 prill, organizata ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, Human Rights Watch (HRW) u bëri thirrje Shteteve të Bashkuara, të lehtësojnë sanksionet ekonomike ndaj Iranit, për të siguruar që vendi të ketë qasje në burimet thelbësore humanitare gjatë pandemisë.

Irani dhe disa vende së bashku me Kombet e Bashkuara dhe disa ligjvënës amerikanë kanë shprehur kërkesë të ngjashme sa i përket lehtësimit të sanksioneve.

Presidenti i ShBA-së, Donald Trump i ka ofruar Iranit ndihmë humanitare, por zyrtarët iranianë e kanë refuzuar ofertën.

Irani është një nga vendet më të goditura nga koronavirusi.

Sipas të dhënave zyrtare, më shumë se 60,000 njerëz janë infektuar dhe mbi 3.700 kanë vdekur, megjithëse shumë ekspertë dhe kritikë të Teheranit kanë thënë, se shifrat aktuale mund të jenë shumë më të larta.

Franca dhe partnerët e saj në BE mbeten të gatshëm për të ndihmuar Iranin të luftojë koronavirusin, tha Macron, sipas deklaratës së qeverisë franceze.