INTERVISTA

LVV-ja paralajmëron protesta masive

Ndonëse vazhdimisht paralajmërojnë rrëzimin e Qeverisë aktuale tri partitë opozitare, LDK-ja, LVV-ja e PSD-ja, nuk po arrijnë të gjejnë një gjuhë të përbashkët për të vepruar në këtë drejtim. Derisa LVV-ja tashmë ka thënë se shumë shpejt do të nisë organizimin e protestave për ta çuar vendin në zgjedhje, LDK-ja ka bërë të ditur se nuk do ta mbështesë një formë të tillë të organizimit. Në anën tjetër zyrtarë të PSD-së kanë deklaruar se LDK-ja e LVV-ja, pos fjalëve, nuk kanë bërë asgjë deri tash lidhur me këtë çështje.
Nënkryetarja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmire Kollçaku, ka thënë se vendi duhet të shkojë sa më parë në zgjedhje të parakohshme parlamentare. Vetëm kështu sipas saj mund të bëhet ndërrimi i pushtetit. Ndaj një gjë të tillë, siç ka theksuar ajo, LVV-ja do ta bëjë nëpërmjet protestave në një të ardhme të afërt. Sa u përket partive të tjera opozitare Kollçaku ka thënë se ato do të vendosin vetë se a do të marrin pjesë në protestat që pritet të organizohen nga LVV-ja.

“Ky është rrugëtimi që ne e kemi zgjedhur. Gjithsesi ne do të jemi vazhdimisht duke bashkëpunuar me pjesën tjetër të opozitës, por do të jetë vendimi përfundimtar i tyre se si do të veprojnë në rastin konkret. Ne asnjëherë nuk kemi bërë trysni tek asnjë subjekt që të veprojë si ne. Ajo që ne kemi kërkuar është që brenda mundësive t’i harmonizojmë veprimet vetëm në interes të vendit dhe të qytetarëve”, ka shtuar ajo.

Megjithëkëtë, sipas deputetes së LVV-së, në rast protestash ajo çka nevojitet është vetëm dalja në mënyrë masive e qytetarëve. Me këtë rast ajo është shprehur e bindur se një gjë e tillë do të ndodhë sikurse në protestën e shtatorit të vitit të kaluar.
“Të gjitha subjektet të krahasuara me qytetarët e Kosovës janë pakicë. Ne e dimë se ajo çfarë kërkojmë është mbështetja e qytetarëve, sepse ne presim që qytetarët të dalin në masë, sepse pakënaqësia është në kulm”, ka nënvizuar ajo.