SPORT

Loshaj nga Rumania synon fanellën e Kosovës

Florian Loshaj ka zgjedhur që në Rumani të bëjë hapin e ardhshëm në karrierë si futbollist. Vendimi deri më tash po del të jetë i qëlluar. Ish-anëtari i ekipit U-21 të Kosovës në futboll, Loshaj, është prej lojtarëve kryesorë te skuadra Politehnica Iasi.

Te kjo skuadër, Loshaj, 23-vjeçar, shpreson të bëjë ngritjen që do t’i siguronte kalimin në nivel më të lartë të futbollit evropian. Po ashtu, synon që të bëjë hapin drejt Përfaqësueses A të Kosovës në futboll. Përfaqësuesja e Kosovës mbetet prej ëndrrave dhe synimeve kryesore të mesfushorit të lindur në Skënderaj e të rritur në Belgjikë, shkruan sot “Koha Ditore”.

Seleksionuesi Bernard Challandes deri më tash nuk e ka llogaritur Loshajn për eliminatoret për “Euro 2020”. Por zvicerani Challandes është i njohur për besimin te lojtarët e rinj dhe nuk përjashtohet mundësia që të jetë duke përcjellë zhvillimin e Loshajt. Në përfaqësuese, aktualisht nuk ka lojtarë që bëjnë karrierë në Rumani, por ka lojtarë nga vendet me liga josuperiore si Norvegjia, Hungaria e Suedia. Ndonëse si mesfushor është pjesë e një reparti me konkurrencë të madhe te Kosova, Loshaj është optimist për të ardhmen e tij.

Ka raste kur lojtarë shqiptarë ia kanë dalë të bëhen pjesë e Kombëtares duke kaluar në Rumani. Pas viteve të tëra në nivelin inferior Italian, Azdren Llullaku në vitin 2012 kishte kaluar te Gaz Metan Medias në Rumani. Ishte shfaqur në nivel të lartë duke shënuar shumë gola dhe kjo i kishte siguruar vend në Kombëtaren e Shqipërisë. Llullaku ka luajtur edhe për Iasin e tash është te Shakhtyor Soligorsk në Bjellorusi. Ai ka luajtur gjashtë ndeshje për Shqipërinë.

Kamer Qaka (24) pas viteve të tëra në kategorinë e parë e të dytë të Norvegjisë, ku vlerësohej supertalent, në vitin 2017 iu bashkua pikërisht Politehnica Iasit. Nuk vonoi shumë dhe mori ftesë nga Kombëtarja e Shqipërisë. Deri më tash ka luajtur katër ndeshje, por llogaritet se mund të ftohet prapë, nëse paraqitet në nivel të lartë. Mesfushori Qaka tani është te Universitatea Craiova, po në Rumani.

Lini një Përgjigje

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.