Kosova

Lombardia fut në zonën e kuqe katër qytete shkaku i përhapjes së varianteve të reja

Rajoni i Lombardisë, në veri të Italisë, ka vendosur masa të zonës së kuqe në katër qytete për shkak të përhapjes së varianteve të reja të koronavirusit, njoftoi guvernatori Attilio Fontana.

Fontana nënshkroi udhëzime për vendosjen e masave kufizuese nga e mërkura në mbrëmje deri më 24 shkurt për komunat Bollate, Castrezzato, Medde dhe Viggiiu. Afati i masave mund të zgjatet, varësisht nga situata.

Në këto katër vende, të gjitha shkollat do të jenë të mbyllura, ndërsa aktivitetet arsimore do të zhvillohen nga distanca, shkruan CNN.

Zonat e kuqe janë niveli më i lartë i masave kufizuese kundër pandemisë në Itali dhe e kufizojnë më së shumti lëvizjen e qytetarëve.

Ndryshe, Lombardia ishte rajoni italian më i prekur nga vala e parë e pandemisë. Deri më tani atje janë regjistruar mbi 565.000 të infektuar, sipas të dhënave të Departamentit për Mbrojtje Civile.

Paraqitja e varianteve të reja të virusit, sidomos ai që është zbuluar së pari në Britaninë e Madhe, i ka shqetësuar qeveritë e vendeve evropiane dhe jo vetëm. Shtetet kanë kthyer në fuqi disa masa kufizuese dhe fluturimet me Britaninë e Madhe janë anuluar në shumë vende.