Kosova

Lobi i fuqishëm i LPK-së në LVV po e pengon marrëveshjen me LDK-në

As e diela nuk e solli koalicionin e shumëpritur

Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës assesi nuk po arrijnë të bëjnë marrëveshje për krijimin e qeverisë se re, përkundër që zgjedhjet e jashtëzakonshme kanë përfunduar para më shumë se 3 muaj.

Këto dy parti po rezulton se edhe me tej nuk janë pajtuar për ndarjen e pozitave.

Edhe pse të dy partitë tashmë ndodhen përballë një bllokade, njohësit e së drejtës Kushtetuese konsideron se nëse do të formohej qeveria e koalicionit mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, e njëjta do të kishte me qenë funksionale gjatë tërë mandatit katërvjeçarë.

Kurse, nga ana tjetër njohësit e zhvillimeve politike në vend konsiderojnë lëvizjet e fundit dramatike kanë bërë që mos të dihet se deri ku kanë avancuar negociatat mes dy partive, andaj sipas tyre edhe është e vështirë të jepet ndonjë ide më të qartë se do të ndodhë apo jo një koalicion.

Flet nënkryetari i LDK-së

Image

Haki Rugova

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Haki Rugova, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka folur lidhur me takimet e paralajmëruara, ku do të diskutohej arritja e një marrëveshje për bashkëqeverisje.

Ai në një përgjigje dhënë gazetës ka thënë se është diskutuar se do të ndodhë një takim mes liderit të LDK-së, Isa Mustafa, dhe atij të VV-së, Albin Kurti.

“Nuk e di sigurt. Është fol për këtë çështje se do të ketë një takim, mirëpo nuk kam ide dhe informacione të sakta”, ka thënë Rugova, për gazetën “Bota sot”.

Rugova është pyetur edhe për takimin në vilën e kreut të LDK-së në Prapashticë, por nënkryetari i LDK-së nuk ka dashur të flas për këtë çështje.

“Nuk e di për besë se çfarë ka ndodhur”, ka thënë ai.

Smaka: Nëse formohet qeveria VV-LDK, do ishte funksionale gjatë tërë mandatit katërvjeçar

Image

Riza Smaka

Riza Smaka, ekspert i së drejtës kushtetuese, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se arrihet një koalicion mes dy subjekteve fituese të zgjedhjeve të 6 tetorit, ky koalicion me gjasë do ishte funksional përgjatë tërë mandatit.

“Nëse do të formohej Qeveria e koalicionit mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, gjykoj se e njëjta do të kishte qenë funksional gjatë tërë mandatit katërvjeçarë”, ka thënë profesori i së drejtës Kushtetuese, për gazetën “Bota sot”.

Tutje, Smaka ka thënë se nëse do ishte funksional ky koalicion, do ishte në interesin e të dy subjekteve.

“Pra, nëse do të ishte funksional gjatë tërë mandatit, në radhë të parë ngase do të ishte në interesin reciprok të tyre”, ka shtuar Smaka në prononcimin e tij për gazetën “Bota sot”.

Veprimtari i LDK-së: Kjo është strategjia e VV-së ndaj LDK-së

Image

Saim Tahiraj

Saim Tahiraj, veprimtari i hershëm i LDK-së në diasporë, e ish-bashkëluftëtari i Sali Çekajt, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë duke analizuar rrjedhën e ngjarjeve që nga fillimi i fushatës zgjedhore e deri më tani, vështirë se do kemi një marrëveshje për bashkëqeverisje në mes të LDK-së dhe VV-së.

“Të gjitha veprimet dhe sulmet që VV-ja i ka drejtuar kundër LDK-së, janë treguesi më i mirë që partia e Kurtit kurrë nuk ka qenë e interesuar për një marrëveshje serioze me LDK-në. Qëllimi kryesor i tyre ka qenë që LDK-ja ta paraqesë para opinionit si parti jo serioze dhe minuese të marrëveshjes. Kjo strategji e VV-së nuk është e tanishme, por zanafillën e ka që nga vitet e nëntëdhjeta. Nëna e tyre që dikur quhej LPK, nga e cila lindi edhe VV-ja, filloi luftën e ashpër propaganduese kundër LDK-së që nga viti 1990. Ajo kurrë nuk e ndali deri më sot, por përdori të gjitha mjetet dhe metodat për ta shkatërruar përfundimisht”, ka thënë Tahiraj.

Ai ka treguar se strategjia e LPK-së ishte frikësimi dhe dobësimi LDK-së, deri në shkatërrimi definitivë i saj.

“Ta kujtojmë vetëm periudhën gjatë luftës dhe pas saj ku ndodhën me qindra vrasje politike të figurave shumë të rëndësishme të LDK-së. Qëllimi kryesorë ishte frikësimi dhe dobësimi LDK-së, deri në shkatërrimi definitivë i saj. Paslufte strategjia e LPK-së ndryshoi, ajo themeloi disa parti politike të cilat fillimisht i quajti parti të dalë nga lufta apo krahu i luftës. Me këtë emërtim morën pronësinë e luftës në Kosovë dhe me tërë arsenalin propagandistik sulmuan LDK-në si parti që ishte kundër luftës. Krahas këtyre partive ata shkuan edhe më tutje duke formuar Vetëvendosjen si alternativë tjetër”, ka shtuar ai.

Tutje, ai ka potencuar se e gjithë taktika vepruese të Lëvizjes Vetëvendosje ishte tërheqja e anëtarësisë së LDK-së duke sulmuar LDK-në si bashkëpunëtore të PDK-së. E gjithë kjo luftë propaganduese e koordinuar me vrasje politike.

“Veprimet e VV-së kishin një strategji tjetër. E gjithë kjo luftë propaganduese e koordinuar me vrasje politike, ishte mirë e koordinuar dhe e komanduar nga një qendër që tani u bë i njohur me emrin SHIK. Pra, të gjitha partitë që lindën nga LPK-ja, siç janë PDK, VV, AAK, NISMA e disa parti minore qendër komanduese e kishin në SHIK. Agjentë të regjur të këtij shërbimi u futën edhe në LDK për të filluar luftën shkatërruese nga brenda, e cila edhe nuk mbeti pa pasoja. Këtë historik të shkurtër të zhvillimit të ngjarjeve, e rikujtova që të analizojmë mirë dhe të konstatojmë të vërtetën se pse nuk kemi një marrëveshje në mes të LDK-VV. Të gjitha veprimet e VV-së nuk kanë qenë në funksionim të arritjes së një marrëveshje për bashkëqeverisje të LDK-së dhe VV-së”, ka thënë ai.

Ai është i mendimit se shpresa e fundit mbetet tek presioni amerikan, që sipas tij, mund të sjellë edhe marrëveshjen mes dy subjekteve.

“Qëllimi kryesor i tyre ka qenë, dhe vazhdon të mbetet diskreditimi dhe dobësimi i LDK-së. Duke u nisur nga të gjitha këto fakte mundë të konstatojmë se vështirë mundë të kemi një marrëveshje edhe në këto pakë ditë që kanë mbetur. Lobi i LPK-së në VV është shumë i fuqishëm i cili do përdor të gjitha mjetet për ta penguar këtë marrëveshje. Vullneti dhe veprimet e sinqerta të LDK-së për marrëveshje janë të pamjaftueshme. Mbetet vetëm shpresa e fundit, presioni amerikan mund të sjellë marrëveshjen. Nëse edhe kjo nuk do të ndodhë, mendoj se si alternativa më e pranueshme do jetë një qeveri gjithëpërfshirëse, deri sa të përfundon marrëveshja me Serbinë dhe përgjegjësia të shpërndahet tek të gjitha partitë parlamentare”, ka deklaruar Tahiraj, për gazetën “Bota sot”.

Mehmeti: Nëse nuk arrihet një koalicion mes VV-së dhe LDK-së vendi mund të shkojë në zgjedhje

Image

Faton Mehmeti

Kurse, analisti politik, Faton Mehmeti, duke komentuar situatën në të cilën ndodhen partia e Mustafës dhe ajo e Kurtit, sipas tij, është e vështirë të japim ndonjë ide më të qartë se do të ndodhë apo jo një koalicion mes tyre.

“Të gjithë kemi pritur se ky koalicion do të ndodhë qysh pas certifikimit të rezultateve, askush nuk e ka pritur se ende s’do të kemi koalicion. Nuk dihet se deri ku kanë avancuar negociatat mes dy partive, andaj është e vështirë të japim ndonjë ide më të qartë se do të ndodhë apo jo një koalicion. Nëse nuk ndodhë vendi vetëm sa do të futet në krize të thellë financiare, buxhetore dhe faji për këtë do u bie të dy partive që kanë zhargitur këtë proces”, ka thënë Mehmeti.

Mirëpo, ai konsideron se ende ka kohë për t’u arritur një koalicion mes këtyre dy subjekteve.

Ndërsa, krejt në fund, ai thekson se nëse nuk arrihet një marrëveshje, së vendi mund të shkojë në zgjedhje të reja.

“Ka ende kohë, mund të ndodh çdo gjë në mesnatë, siç e kemi zakon ne shqiptarët që në çastin e fundit të bëjmë gjërat që nuk i kemi bërë me muaj të terë, andaj, nuk do befasohesha nëse ndodh. Pritet të jetë një natë pa gjumë për dy subjektet, e rezultati do e shohim nesër dhe ditëve në vijim. Nëse nuk arrihet një koalicion mes VV-së dhe LDK-së vendi mund të shkojë në zgjedhje, ose do të futet në interpretimi kushtetuese, që faktikisht nuk i shërbejnë vendit”, ka thënë krejt në fund, analisti politik, Faton Mehmeti, për gazetën “Bota sot”.