Kosova

Llunji: S’ka tërmet të rrezikshëm, por objekte të rrezikshme, shteti të ndërmarrë masa urgjente

Mentor Llunji, inxhinier i ndërtimtarisë dhe autor i librave të inxhinierisë sizmike, sot në “Express Intervistën” në KTV ka thënë se shteti duhet të ndërmarrë masa urgjente në mënyrë që të shmanget ndonjë tragjedi me përmasa të mëdha në rast të tërmeteve.

Sipas tij nuk ka tërmete të rrezikshme, por objekte që janë të rrezikshme për shkak të cilësisë së dobët dhe shkeljen zinxhirore të ligjit për ndërtimet.

Ai ka folur për nën-ndërtimet që janë bërë në Lagjen Ulpiana, e që kanë shkaktuar shqetësime të mëdha te qytetarët, megjithatë ende institucionet përkatëse nuk kanë ndërmarr asnjë gjë.

Sipas tij objektet janë dobësuar jashtëzakonisht shumë.

“Përdheset, mirë që po shfrytëzohen për lokale, por kanë edhe efektin e dobësimit të ndërtesës. Objektet janë të rrezikuara. Qasja e parë është të themi situatën ashtu siç është, dhe është alarmante, dhe e dyta është se s’kemi kohë të mos e trajtojmë seriozisht”, ka thënë Llunji.

Ai thotë se objektet në Ulpianë janë ndërtuar në vitet e 60-ta, dhe në kohën e Jugosllavisë nuk ka pasur standarde sizmike.

“Objektet janë ndërtuar me mure mbajtëse, por tash kur hapet lokali në përdhesë të pengojnë muret, ti i largon ato dhe e zëvendëson me një tra. Objektet që janë ndërtuar në të kaluarën duhet të trajtohen si tërësi, pasi s’mund të hiqen muret dhe shtyllat e të zëvendësohet me tra, pasi efekti nuk është i njëjtë. E raste të tilla ka shumë. Banorët kanë ngritë shqetësimin, organet komunale kanë pruar vendimin që gjendja të kthehet në situatën paraprake, gjë që s’ka ndodhur”, ka thënë Llunji.

Sipas tij gjendja është e njëjtë edhe sot.

“Të gjithë kanë bërë nënndërtim, e ata nuk kanë kërkuar asnjë pëlqim nga komuna. Në rastin real ato dalin jashtë funksionit, kurse në rastin tjetër ato shemben. Pra, nëse hiqet muri mbajtës ti ke rrezikuar objektin. Nënndërtimet kanë kaluar të pavërejtura pasi nuk shihen, kurse mbindërtimet shihen. Por, efekti struktural dëmtohet dhe është shumë e rrezikshme”, ka thënë ai.

Tutje Llunji ka shtuar se ajo çfarë ndodhi në Durrës është për shkak të cilësisë së dobët të ndërtesave.

“Objektet që janë ndërtuar 2-3 vite më herët për shkak të kateve të buta, që s’mund t’u qëndrojnë tërmeteve. Paralajmërimet janë serioze dhe organet kompetente. Ndoshta më parë duhet të bëhet dialogu me qytetarët e Ulpianës se sa me Serbinë, gjendja është kaq serioze. Nuk ka tërmet të rrezikshëm, por ka objekte të rrezikshme. Ka qenë ndërtim i cilësisë së dobët në Durrës. Zinxhiri ndërtimor është i ndryshkur dhe nuk ekzistojnë disa faza që do ta mbronin atë”, u shpreh ai.

Sipas Llunjit siguria e ndërtimeve mund vetëm të individualizohet konform ligjit i cili s’po aplikohet në Kosovë e duhet të intervenohet sa më parë.

Ai thotë se situata është e ngjashme edhe në Ulqin, përkundër që për një nuancë është më e mirë, por edhe atje është i goditur bregdeti nga ndërtimet e egra. Dallimi është se atje ligji është më i mirë.

Llunji thotë se duhet të trajtohet shumë seriozisht kjo çështje.

“Çështja është se a do të ketë reagim apo jo. E është një problem serioz që duhet të merret edhe shteti”, u shpreh ai.

Shfaq më shumë

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.

//soaheeme.net/4/3473483