Kosova

Lladrovci tregon se kush po e ndot lumin Drenica

Ngordhja e peshqve në lumin Drenica, si pasojë e ndotjeve që rrjedhin në këtë lum është shqetësim tjetër i banorëve të fshatit Qikatovë e Vjetër, që u ngrit në debatin e sontëm “Jeta në Komunë” mes kryetarit të Drenasit, Ramiz Lladrovci dhe asamblistëve opozitar.

Banorët e këtij fshati kanë pretenduar se ndotja po vije nga kompania “Feronikeli”.

Lladrovci e ka mohuar këtë pretendim, duke shtuar se kjo nuk është vertetuar nga asnjë inspektorat se ndotja po vije nga kjo kompani.

“Këta peshqi, sipas të informatave kanë ngordhë nga Qendra e Transferit të mbeturinave të tunelli në Qikatovë, ku e kanë ndërtu vet Ministria e Ambientit bashkë me donatorë tjerë. Pra, kopilin e vetë kanë dashtë me na e gjujtë neve, por e bajshin me shnet, ata që e kanë ba edhe e kanë lanë që ujërat m`u derdh. Na tash kemi marrë masa”, u shpreh Lladrovci.

Asamblisti i Drenasit nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Sokol Bylykbashi është ndërlidhur më këtë temë ka fajësuar komunën për ndotjen e lumit Drenica dhe për derdhen e ujërave të zeza aty.

“Lumi Drenica ndotet nga operatorë të ndryshëm në këtë rast edhe nga Feronikeli, por edhe nga ekonomitë familjare. Mirëpo po du me përmend një fakt, komuna kontribuon drejtpërdrejt me u ndot ky lum ma shumë, pra me u kriju një lloj rezervari i ujërave të zeza. Sepse nuk ka shumë kohë ndoshta dy-tre muj ku Komuna e ka ba një kanalizim në lagjen 4, edhe e kanë pru gypin deri të lumi”, tha Bylykbashi.

Asamblisti nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Beqir Kiqina në debatin “Jeta në Komunë”, tha se komuna e ka lanë pas dore këtë lum e po i hedh fajin ministrisë.

“Ky ka dhanë shumë premtime të cilat nuk i ka realizu sa i përket menaxhimit më të mirë të lumit Drenica. Ky lum është në gjendje të mjerueshme, ku ujerat të zeza derdhen në lum. Kyretari nuk ka marrë masa edhe po tenton t’ia hedh fajin ministrisë”, u shpreh ai.

Lladrovci u kundërpërgjigj duke thënë se asamblistët po mundohen të bëhet “eksperta të gjitha çështjeve”. Në emisionin “Jeta në Kosovë” në muajin qershor 2020 ishte diskutuar edhe çështja e ngordhjes së peshqve në lumin Drenica. kallxo.com