Bota

Lirohet nga burgu mjeku gjerman që vrau vajzën e gruas së tij

Një ish-mjek gjerman, mbi tetëdhjetëvjeçar, i burgosur në Francë për vrasjen e vajzës 14-vjeçare të gruas së tij 38 vjet më parë, është liruar të premten nga burgu për shkaqe mjekësore, ka thënë një burim i afërt për AFP-në.

Dhe duket se me këtë vendim, po i vjen fundi ngjarjes dramatike me ish-kardiologun Dieter Krombach, i rrëmbyer në Gjermani nga babai biologjik i viktimës së tij dhe e dërgoi atë në Francë për t’u gjykuar.

Rrëmbimi i tij ishte kryer nga dy persona, njëri shqiptar i Kosovës, Anton Krasniqi.

Krombach ishte dënuar nga një gjykatë franceze më 2011 me 15 vjet burgim.

Tetorin e kaluar, një komision për lirim me kusht mori vendim që dënimi i tij duhet të suspendohet për shkaqe shëndetësore, gjë që të premten në mëngjes rezultoi me dërgimin e doktorit, tani 84-vjeç, me ambulancë nga burgu afër Parisit, raporton AFP.

Një hetim gjerman në vitin 1987 kishte arritur në përfundimin se s’ka dëshmi të mjaftueshme për ta akuzuar Krombachun për vrasjen e Kalinka Bamberskit, e cila ishte gjetur e vdekur në shtratin e saj gjatë pushimeve verore më 1982, transmeton Koha.net.

Por kredibiliteti i doktorit u dëmtua kur më 1997 ai u shpall fajtor për drogimin dhe përdhunimin e një pacienti 16-vjeç, gjë që e shtyri babanë biologjik të Bamberskit, Andrenë, të ndërmerrte një fushatë për ta arrestuar Krombachun.

I frustruar me refuzimin gjerman për ta dorëzuar Krombachun, Bamberski angazhoi një skuadër për kidnapime për ta rrëmbyer doktorin nga shtëpia e tij në Scheidegg, Bavaria, dhe për ta sjellë atë në Francë.

Doktori u la, i lidhur, i rrahur e i përgjakur, afër një gjykate në qytetin kufitar Mulhouse, dhe më vonë nisi gjykimi ndaj tij.

Pasi Krombachu u dënua nga një gjykatë franceze në vitin 2011, edhe babai i Kalinkas u gjykua dhe u shpall fajtor në vitin 2014 për kidnapim. Ai ishte dënuar me 1 vjet burgim me kusht.

Dy burrat që kryen kidnapimin – Anton Krasniqi nga Kosova dhe Kacha Bablovani nga Gjeorgjia – u dënuan me nga një vjet burgim secili.

Drama e luftës së Andre Bamberskit për drejtësi është shndërruar në film në vitin 2016, “Au Nom de Ma Fille”, ndërsa në anglisht ka dalë me titullin “Kalinka”.