Bota

Lirohen 800 të burgosur pas marrëveshjes ndërmjet qeverisë afgane dhe militantëve talibanë

Qeveria e Afganistanit dhe militantët talibanë kanë liruar qindra të burgosur si pjesë e një plani më të madh para negociatave për paqe, me të cilat synohet përfundimi i luftës 18-vje­çare.

Shkëmbimi i të burgosurve është pjesë e marrëveshjes së shkurtit të këtij viti mes Shteteve të Bashkuara dhe talibanëve, me të cilën parashihet lirimi i pesë mijë të burgosurve talibanë nga qeveria afgane dhe lirimi i një mijë të burgosurve afganë nga talibanët.

“Qeveria i ka liruar 710 të burogsur talibanë nga burgjet Pul-e Charkhi, Parwan dhe nga disa burgje të tjera prej ditës së djeshme”, tha të shtunën zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, Javid Faisal.

Ky veprim e ka çuar në rreth 2,700 numrin e përgjithshëm të të burgosurve të liruar nga qeveria afgane që nga nënshkrimi i marrëveshjes mes talibanëve dhe Shteteve të Bashkuara, shkruan “Free Europe”, transmeton Gazeta Express.

Në anën tjetër, zëdhënësi i zyrës politike të talibanëve në Katar, Suhail Shaheen, tha se të shtunën grupi i ka liruar 73 pjesëtarë të forcave afgane të sigurisë në provincat Balkh, Kunduz, Logar, Paktia, Khost dhe Paktika.

Sipas tij, talibanët deri më tani i kanë liruar 420 të burgosur të qeverisë afgane.

Procesi i paqes u rrezikua shumë pas disa sulmeve, por më 24 maj hyri në fuqi një armëpushim për nder të Bajramit, që duket se po vazhdon të respektohet edhe pas festës.