SPORT

Lirim Kastrati tregon se po e kërkojnë disa klube nga Bundesliga

Lirim Kastrati, ylli i Kosovës U21 dhe i Lokomotivës së Zagrebit, ka konfirmuar se ka marrë disa oferta nga klube të Bundesligës.

Pak ditë para nisjes për Kroaci, Kastrati ka thënë se do të takohet me menaxherin e tij dhe bashkë do të shohin opsionin më të mirë për të ardhmen. “Pas tre-katër ditësh do të ik në Kroaci, të takohem me menaxherin e me klubin. Më ka treguar se ka disa klube nga Bundesliga që kanë bë ofertë. S’e di as vet cilat, por do të shkoj e të flas e të vendosim atë që është më e mira për mua. Besoj se jam i gatshëm të luaj”, ka theksuar ai në KTV.

Ai ka treguar momentin që ishte dëbuar nga kuqezinjtë dhe se si kishte mbetur i zhgënjyer nga një vendim i trajnerit Alban Bushi.

“Para se të vendos për Kosovën kam pas kontakte dhe me shtetin kroat e Shqipërinë. Isha te Shqipëria U17, por kam pas disa probleme e më kanë heq. Kam qëndruar 10 ditë e në ditën e ndeshjes më kanë hequr nga ekipi. Ka qenë trajner Alban Bushi. Kemi pas dy miqësore më ka ftuar e nuk më ka fut në lojë, por s’ka gjë. Kishin ardhur edhe familjarë të mi për të më pa në Durrës. Pesë minuta para ndeshjes më tha se nuk jam në 18-she dhe e kam parë ndeshjen nga tribuna. Isha i dëshpëruar”, ka thënë ai.