Kombëtare

Lipjan: Zyrtarët e PDK – së, gjatë qeverisjes së LDK-së është duke u rritur vandalizmi, keq menaxhimi dhe keqpërdorimi i parasë publike

Partia Demokratike e Kosovës – dega në Lipjan kanë shkruar në faqen zyrtare të saj në Facebook se kryetari Imri Ahmeti, po e lavdëron pushtetin e tij për punën e vogël që po bën në Lipjan duke rregulluar disa rrugë e vija të kuqe për të kaluar qytetaret, ndërsa nuk ka bërë asgjë për të përmirësuar jetën qytetareve. Zyrtaret e PDK – së kanë lavdëruar punën e bërë sa ka udhëhequr PDK – ja për dy mandate Komunën e Lipjanit.

Postimi i plotë:

Pushteti dështon ta menaxhoi paranë publike Komuna e Lipjanit para disa vjetësh gjatë udhëheqjes nga Partia Demokratike e Kosovës ka bërë shumë investime për rregullimin e hapësirave publike, pastaj ka investuar mijëra euro për ndërtimin e ndriçimit Publik, ndërtimin e ulëseve, mbjelljen e drunjtëve dekorative etj, mirëpo qeverisja aktuale e LDK-së ka dështuar t’i mirëmbajë ato. Nëpër rrugët kryesore të Lipjanit kemi shtylla të ndriçimit publik të cilat janë dëmtuara dhe po i rrezikojnë qytetarët si pasojë e mosmirëmbajtjes së tyre. Po ashtu në parkun e qytetit afër shkollës fillore “Vëllezërit Frashëri” prej vitesh është dëmtuar ndriçimi publik dhe askush nuk po intervenon për mirëmbajtjen e tyre. Po ashtu në këtë park janë dëmtuar edhe ulëset, mirëpo askush nuk po intervenon për riparimin apo mirëmbajtjen e tyre. Kemi raste në hapësirën pranë disa objekteve banesore kur qytetarët janë organizuar dhe kanë shpenzuar qindra euro për rregullimin e ndriçimit publik sepse komuna i ka lënë pas dore këto hapësira. Pra, gjatë qeverisjes së LDK-së është duke u rritur vandalizmi, keq menaxhimi dhe keqpërdorimi i parasë publike. Nëpër rrugët e Lipjanit kemi edhe dëmtim apo prerje të drunjtëve dekorativ të cilët përveçse nuk po mirëmbahen me krasitje, ato as nuk po ujiten gjatë verës. Po ashtu nëpër rrugët e kësaj Komune kemi identifikuar se mungojnë dhjetëra kapak të pusetave nëpër rrugë të cilat nuk po zëvendësohen, andaj shpeshherë po marrim edhe ankesa nga qytetarët për dëmtim të veturave. Në vitet e kaluar Komuna pati shpenzuar shumë para të taksapaguesve për OJQ-të që operojnë jashtë Lipjanit me qëllim të organizimit të fushatave të përbashkëta vetëdjësuese kundër vandalizmit, mirëpo ato aktivitete nuk janë realizuar sipas projekteve dhe nuk kanë ndikuar aspak në përmirësimin e gjendjes. Kryetari i Komunës Imri Ahmetit po lavdërohet me vendosjen e disa zebrave me vija të kuqe në disa rrugë të qytetit, andaj ka gjetur formën e reklamimit nëpër rrjete sociale dhe nëpërmjet disa portaleve lokale të cilat i menaxhojnë njerëzit e afërt të tij që edhe në të kaluarën kanë marrë subvencione të majme me qëllim të kompensimit në këtë mënyrë. Pra, kryetari gradualisht po i vendos vija të kuqe qeverisjes së vetë sepse e ka kuptuar që edhe pak kohë i ka mbetur për të qeverisur me Lipjanin.