Kombëtare

Lipjan/ Banorët e disa fshatrave kërkojnë që shërbimet shëndetësore t’u ofrohen 24 orë

Rreth dhjetë mijë banorë të fshatrave Shalë, Krojmirë, Baicë, Resinovcë, Mirenë, Divjakë dhe Kleçkë të Komunës së Lipjanit prej disa vitesh po kërkojnë nga Komuna të ofrojë shërbime 24 orë në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Shalë, pasi që QKMF-ja në Komoran, e cila funksionon 24 orë në kuadër të Komunës së Drenasit, nuk po ofron shërbime për banorët e komunave të tjera.

Këtë institucion në Komoran banorët e kanë mjaft afër, derisa emergjencën e Lipjanit mbi 25 kilometra, andaj ata po kërkojnë zgjidhje dhe ofrim të shërbimeve 24 orë. Haqif Drenica, banor nga kjo rrethinë, ka thënë se Komuna e Lipjanit duhet të ofrojë shërbime 24 orë në QMF-në e Shalës derisa frekuentojnë mbi dhjetë mijë banorë, shkruan KOHA.

Sipas tij, QKMF-ja në Komoran nuk po ofron shërbime mjekësore, pasi që i takojnë një komune tjetër. “QMF-ja në Shalë funksionon me dy mjekë, mirëpo gjatë natës banorët e Shalës me rrethinë po duhet të udhëtojnë mbi 25 kilometra për ta marrë një shërbim mjekësor në Lipjan.

Ndërkaq Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare e kemi mjaft afër në Komoran, e cila funksionon në kuadër të Komunës së Drenasit, mirëpo në këtë institucion nuk po mund të marrim shërbime për shkak se nuk i takojmë asaj komune”, ka thënë Drenica. Sipas tij, Komuna e Lipjanit duhet të kujdeset për qytetarët e vet për ta bërë një zgjidhje urgjente rreth kësaj çështjeje.

Leave a Reply

Your email address will not be published.