Kosova

Limaj: S’ka marrëveshje me Serbinë pa SHBA-në

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj, i cili kryeson edhe Delegacionin Shtetëror për Serbinë ka folur për samitin e Berlinit. Ka thënë se kryeministri e presidenti i kanë njoftuar sot për rrjedhën e takimit.

Sipas tij, mbajtja e Samitit ka qenë një shenje e mirë. Ai thotë se e ka parë si zhvillim pozitiv dhe si mundësi që delegacioni i Kosovës të paraqes shqetësimet e vendit siç është mungesa e liberalizimit të vizave.

Ka thënë se është inkurajues qëndrimi i Gjermanisë për liberalizimin e vizave.

“Unë besoj se qëndrimet e presidentit dhe kryeministrit kanë qenë korrekte dhe janë në kuadër të Kushtetutës e platformës që kanë nxjerrë Kuvendi i Kosovës. Përplasjet e ndryshme e dëmtojnë pozicionin e Kosovës. Sot kemi një qëndrim zyrtar dhe unë pres nga presidenti dhe të gjithë të thirren në platformën e Kosovës”, ka thënë Limaj në RTV 21.

Më tutje ai ka folur edhe për takimin e paralajmëruar më 1 korrik në Paris.

Ka thënë se të gjithë duhet ta kenë të qartë se pa SHBA-të nuk mund të arrihet marrëveshja.

“SHBA kanë qenë pjesë e këtij procesi, por Kosova duhet të jetë në konsultim të plotë me SHBA dhe miqtë tanë europian. Pres të rifillohet fuqishëm dialogu dhe çështja Kosovë- Serbi të përmbyllet”, ka shtuar Limaj.
“Si delegacion kemi komunikim korrekt me presidentin dhe kryeministrin. Sot u a kemi bërë me dije se në çfarëdo takimi me Serbinë bilateral duhet të jetë edhe delegacioni i Kosovës. Kuvendi ka nxjerrë një rezolute dhe në çfarëdo takimi bilateral duhet të jetë delegacioni i Kosovës”, theksuar Limaj.

Kosova thotë Limaj se Kosova nuk është pronë private.
“Askush nuk ka drejtë më shumë se dikush tjetër. Ne duhet funksionojmë me bazën e dokumenteve në të cilat funksionon shteti”.