Kosova

Limaj rrëfen për rrëzimin e aeroplanit serb mbi bazën e UÇK-së

Në 20-vjetorin e çlirimit të Kosovës, ish-komandanti dhe anëtari i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Fatmir Limaj, ka rrëfyer detaje nga dita e parë e bombardimeve të NATO-s në Kosovë.

Limaj, në “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini, ka rrëfyer momentin kur një aeropan serb ishte rrëzuar mbi malet e Berishës.

“Ditën kur kanë filluar bombardimet e NATO-s unë isha në bjeshkët e Berishës. Në atë kohë unë kam mbajtur komunikimin me një pjesë të Shtabit të UÇK-së, që ishin në Paris për Konferencën e Rambujesë”, fillon rrëfimin Limaj.

Njëri ndër komandantët e UÇK-së, tregon se pak kohë pasi kishin filluar bombardimet e NATO-s mbi kokat e tyre kishte kaluar një aeroplan, që në atë kohë nuk kishin mundur ta identifikonin se kujt i përkiste.

“Ishim me një grup shokësh në bjeshkët e Berishës. Rreth 10 minuta pas fillimit të bombardimeve të NATO-s mbi kokat tona kaloi një aeroplan dhe i njëjti u rrëzua rreth 400 metra larg qendrës ku po qëndronim. Menjëherë kemi dalë me ushtarët dhe shkuam të shohim vendin ku ka rënë. Përshtypjet e para ishin se aeroplani i rrëzuar ishte i NATO-s. Këtë veprim e pamë si shumë të vështirë. Të rrëzohet aeroplani i NATO-s në sulmin e parë… Ishte shumë problematike”.

“… Shkuam te vendi ku ishte rrëzuar aeroplani. Ai ishte ende në flakë. Në ato momente hetuam flamurin e Serbisë në aeroplan. Ishte interesant se një pjesë e municionit në aeroplan ende ishte pa eksploduar dhe ato kërcitnin sikur kur gjuan dikush me automatikë. Ne u larguam. Dhe nuk kanë shkuar as dy minuta dhe ka ndodhur një shpërthim i madh dhe aeroplani u shkatërrua plotësisht”.

Limaj, tregon se brenga e tyre tani ishte fati i pilotit.

“Njësia jonë që kishte dalë në terren për të kërkuar pilotin që ende mendonin se mund të ishte i NATO-s kishte arritur ta gjenin karrigen, por jo edhe pilotin. Ata kishin kërkuar tërë natën, por pa sukses”.

Kryetari i Nismës Socialdemokrate rrëfen se të nesërmen dy aeroplanë serbë kishin bombarduar pozicionet e UÇK-së, por më pas më nuk kishin ndodhur sulme pasi hapësirën ajrore po e merrte NATO.

“Natën e parë me sa kujtoj dy aeroplanë serb janë rrëzuar posa janë ngritur në ajër. Ndërsa, dy të tjerë janë bombarduar në tokë… Edhe aeroplani që ishte rrëzuar mbi kokat tona ka pasur një luftë me ata të NATO-s në ajër”, tregon Limaj.