Kosova

Limaj për takimin e Kurtit me Vuçiq: I shkeli premtimet

Kryetari i Nisma, Fatmir Limaj, ka thënë se pas takimit të djeshëm të Kryeministri Albin Kurti me Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka rënë parulla e Lëvizjes Vetëvendosje “Jo negociata – Vetëvendosje”.

“Në politikë ka zotime, njerëzit e lirë ju kapin për zotime të përmbushura ose jo. Vetëvendosje është njohur më shumë me “Jo negociata – Vetëvendosje”, e ka pasur emërim politik. Konstatojmë se kjo ka rënë”.

“E dyta, ata kanë thënë se nuk do të shkojnë në dialog sepse “do ta bëjmë dialogun e brendshëm me serbët, nuk shkojmë pa kërkim falje, pa rishikimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura”…ka edhe shumë të tjera. E fundit është, nuk e kam prioritet, i gjashti a i dhjeti. Dhe, ndodhi takimi”.

Ai në Rubikon është shprehur se Qeveria e tanishme e Kosovës po do që ta shlyejë memorien institucionale e historike.

“Siç e kemi paralajmëruar se do të shkojë kurdo që do ta ftojnë. Ai [Kurti] i ka shkelur premtimet… Nuk kanë lënë njeri e temë pa e denigruar. Ai po vazhdon të thellohet në josinqeritet. Duhet t’i mbledh forcat dhe të thotë se kjo punë qenka më ndryshe nga çfarë kam kuptuar. Shteti ka memorie historike. Këta po duan ta shlyejnë memorien historike dhe institucionale. Këtë ia treguan në Bruksel dje – vazhdim dialogu”.