Kosova

Limaj: Osmani kaloi kompetencat në shkarkimin e Valdete Dakes

Kryetari i NISMA Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka thënë se presidentja e Kosovës Vjosa Osmani “kaloi kompetencat me shkarkimin e Valdete Dakës.

Daka u shkarkua të hënën nga pozita e kryetares së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve – të cilën e mbajti për 11 vite.

“Ne mund të kemi vërejtje në ushtrimin e detyrave të tyre por kjo nuk duhet të dërgoj në shkarkimin e personave të tillë pasi ne jemi vend demokratik dhe ka procedura ligjore të cilat janë të qarta”, ka thënë Limaj në Rubikon.

“Besoj që është shkelje e pastër e kompetencave dhe shkelje kushtetuese pasi KQZ është institucion i pavarur dhe presidentja duhet të kujdeset për pavarësinë e këtij institucioni dhe Osmani e ka keqkuptuar kompetencën e vet pasi mund ta bëjë emërimin dhe jo shkarkimin pasi është një zinxhir që duhet të respektohet për shkarkim. Mendoj se ka dalë jashtë kompetencave me shkarkim sidomos pa një konsultim paraprak”.

“E arritura më e madhe në demokracinë e Kosovës mendoj që është mbarëvajtja e zgjedhjeve bashkë me KQZ-në, PZAP-në dhe Gjykatën Kushtetuese të cilat asnjëherë nuk kanë dalë jashtë kompetencave pasi ne kemi përcjellë ankesa në PZAP ose kërkesa në Gjykatën Kushtetuese”, tha Limaj.