Kosova

Limaj: Kurti e Thaçi e njohin njëri-tjetrin sepse janë të njëjtë

Fatmir Limaj në Rubikon të KTV-së ka thënë se kryeministri Albin Kurti dhe presidenti Hashim Thaçi e njohin njëri-tjetrin pasi janë të njëjtë.

Limaj ka thënë se Kurti duhet të kërkojë falje pasi ka ardhur në pushtet me kauza të rrejshme, e duhet t’i kërkojë falje edhe opozitës së tanishme pasi “i ka sharë të djathtë e në të majtë”.

“Në Kuvend iu vardis Veselit, derisa më herët kurrë nuk e ka quajtur në emër, por vetëm kriminel. Kurti duhet të japë dëshmi të vullnetit të mirë, me angazhime serioze. E nuk mundet paradite të denoncojë e pasdite të kërkojë bashkëpunim (me presidentin Thaçi). Unë nuk po i kuptoj këta dy njerëz. Paradite kërkojnë bashkëpunim e pasdite shahen. Ata duhet me u taku në çdo kohë e në çdo orë. Këta dy e njohin njëri-tjetrit sepse i ngjajnë njëri-tjetrit”, ka thënë Limaj.

Ai nuk ka përjashtuar bashkëpunimin me kryeministrin Kurti për temat e mëdha, megjithatë ai ka theksuar se ende s’ka pasur asgjë konkrete nga ana e kryeministrit.

“Çdo gjë e mirë që është për vendin ne do ta mbështesim. Ende nuk kemi dëgjuar asgjë konkrete nga kryeministri”, është shprehur ai.

Limaj: Shqetësimi im është se tema e ndarjes së Kosovës dhe asociacioni po na kthehen

Kreu i Nismës, Fatmir Limaj në Rubikon të KTV-së ka thënë se shqetësimi i tij është se dalëngadalë po kthehen temat e ndarjes së Kosovës dhe ajo e Asociacionit të Komunave Serbe.

“Në të kaluarën e afërt stërkeqja e dialogut Kosovë – Serbi është se na ka vënë në përplasje shoqërore. Shqetësimi im është se tema e ndarjes së Kosovës, e Asociacioni dalëngadalë po na kthehen. Dhe ajo çfarë i kam thënë unë Kurtit është se dua të shoh një kryeministër që duhet të ketë shumë kujdes që të kemi një marrëveshje të mirë, e jo të kujdeset për veten”, ka thënë Limaj.

Sipas tij Kurti ka përdorur dy karta për të ardhë në pushtet: Atë të patriotizmit dhe sociale.

“Ai ka ardhur këtu duke përdorur dy karta. Deri më 2017 ka goditur, ka luajtur me kartën patriotike, nacionaliste dhe ka goditur zemrat e atyre patriotëve me zemër të pastër. Duke goditur temën e bashkimit kombëtar dhe jo negoaciata me Serbinë. E kur e ka parë se nuk ma shumë vota nga kjo, pastaj ka goditur kartën sociale. Ai thoshte se nuk bënë të ketë dialog pa falje nga Serbia e pa të pagjeturit. Në këto tema duhet të ketë kujdes”, ka thënë Limaj.

Ai thekson se nuk e kishte kërcënuar Kurtin në Kuvend, derisa thotë se është i frikëshëm ndryshimi i Kurtit.

“Shenjat janë të këqija, dhe duhet të kemi kujdes për këto tema. Kur kam parë ndryshimin e tij 180 shkallë më ka frikuar. Dua që kryeministri im të shkojë aty ku duhet dhe mos me nxjerrë marrëveshje të dëmshme”, ka thënë Limaj.

Limaj ka shtuar se situata rreth dialogut është më serioze se që po shihet.

“Në qendrat kryesore shiko se çfarë zihet, dhe me çfarë merret kryeministri jonë. Përgjegjësinë kryesore e kanë institucionet e vendit dhe kur kemi qenë në pushtet kemi provuar ta themi këtë. Kjo është fatkeqësi. Autonomia për të cilën po flitet është me i dhënë fund Kosovës. Situata është më serioze se që po e shohim e apeli im është që fillojmë më seriozisht me këto tema pasi koha nuk pret dhe sa më serioz që të jemi do të arrijmë marrëveshje më të mirë”, ka thënë ai.

Ai ka bërë thirrje që Kosova të ketë kujdes me aleatët, derisa ka theksuar se jemi shumë vonë për çështjen e dialogut.

“Shumë jemi të vonuar si Kosovë, jemi vonuar me vite. Së pari 2013-14 ka qenë dëm i madh se si është qasur dialogut. Më 2017 e këtij është një përpjekje që të gjendet një gjuhë e përbashkët, dhe siç e dini nuk u krijua një grup unitetit. Serbia gjatë kësaj kohe ka qenë në ofansivë dhe e ka shfrytëzuar secilën situatë. Për herë të parë në Kosovë kanë ardhë dhe kanë parë qëndrime të ndryshme, dhe Serbia këtë e ka shfrytëzuar. Ahtisari ++ është folur që nga 2011”, u shpreh Limaj.

Kreu i Nismës thotë se duhet të merret seriozisht çështja e dialogut për shkak të angazhimit të madh të SHBA-së.

“E marrë seriozisht fokusimin e Trumpit e BE-së pasi ka një veprim konkret se duan një marrëveshje, dhe kjo dëshirë duhet të përputhet për të shkuar drejt marrëveshjes. E nëse kjo nuk bëhet. Në dialog mund të shkohet të bisedohet e mundesh mos u pajtu, por me sjelljen që jemi duke e bërë këtu dhe nëse shihet se s’jemi angazhuar mund të na kushtojë. Kryeministri e ka në axhendën e tij ka tri prioritete para dialogut, por mendoj se do t’i harrojë ato, tash të presim”, u shpreh ai.

Limaj: Reciprociteti i implikon 30 e diçka marrëveshje

Lideri i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, vlerësoi se Kosova është vonuar me dialogun dhe se pasojat, po vërehen dita-ditës.

Ai ka shtuar se Qeveria nuk ka kapur momentin, sidomos pas përfshirjes së presidentit amerikan Donald Trump dhe kancelares gjermane, Angela Merkel.

“Tash e 3-4 vjet, Merkel po merret me Kosovën. Paramendoni sa punët i ka një kancelare gjermane. Zyra e saj është e interesuar të zgjidhë problemin e Kosovës. Por, cila është sjellja jonë? Në mars, unë pres marrëveshje tjera, të kësaj natyre”, ka thënë Limaj gjatë intervistës në “Rubikon” të KTV-së.

Ai ka folur edhe për taksën ndaj mallrave të Serbisë, të vendosur nga Qeveria Haradinaj dhe për reciprocitetin e paralajmëruar nga kryeministri Albin Kurti. Ka kritikuar Kurtin, pasi sipas tij, nuk është i qartë në atë që ka propozuar.

“Kjo tregon që reciprocitetin e kanë kryer me një fjalë në programin e tyre, edhe janë ndalur. Këta nuk dinë çka është reciprociteti. Nuk e kanë shtjelluar deri në fund. Ka thënë se do të ketë reciprocitet politik, ekonomik e tregtar. Kur dilni me një qëndrim të tillë, duhet ta bëni me detaje”, ka thënë Limaj.

Ai nuk ka dashur të flasë për taksën, nëse duhet hequr apo jo. Ka thënë se po e pret qëndrimin e kryeministrit.

“Duhet ta dëgjojmë kryeministrin. Unë e pres atë të shoh se si po vepron. Unë e kam qëndrimin tim, sonte s’do të flas për këtë. Ne presim të vijë kryeministri me planin për reciprocitetin. S’duam ta nxjerrim në presion. Duam të shohim opsionin e tij. Le të vijë me dokumente dhe në bazën e tyre, do të gjykojmë”, ka shtuar ai.

Ai ka thënë se duhet pasur kujdes në këtë, pasi sipas tij, një qeveri është larguar për shkak të taksës “pak a shumë”, duke iu referuar Qeverisë Haradinaj.

“Reciprociteti i implikon 30 e diçka marrëveshje. Shumë më komplekse është kjo çështje se që po flitet. Kjo tregon se partnerët e koalicionit nuk e kanë studiuar deri në fund. Mezi po e presim atë letër, atëherë do të keni qëndrimin tonë. Partnerët kanë qasje të ndryshme me sa po shoh unë”.

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.