Kosova

Limaj fton kundërkandidatët për debat televiziv: Mos u fshihni prapa siglave të partive

Kandidati për kryeministër nga koalicioni NISMA-AKR-PD, Fatmir Limaj, ka ftuar përsëri kundërkandidatët në një debat televiziv.

Limaj, në “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini, ka thënë se një debat televiziv mes kandidatëve për kryeministër është shumë i nevojshëm pasi sipas tij ka zhvillime të reja në subjekte politike.

“Kemi kryetarë partish që nuk janë kandidatë për kryeministër. Nominimet janë bërë me shumë dramaticitet në disa grupe politike dhe kjo është një zhvillim i mirë politikë”, tha ai, përcjell Telegrafi.

Limaj thotë se është shumë mirë që kandidatët të dalin para popullit dhe të tregojnë personalitetin e tyre pasi njëri nga ta do të jetë në krye të qeverisë.

“Pse të mos dalim para qytetarëve kush je ti dhe a je kompetentë për të drejtuar vendin. Pse të fshihemi pas siglave të partive. Hajde të bëjmë pyetje për njëri tjetrin në mënyrë korrekte”.

Limaj ka thënë se ndjehet më komod se kandidatët e tjerë për t’u përballur në një debat televiziv.

“Unë jam shumë i sigurt se nëse debati do të jetë me pesë tema, gara do të bëhej e pa parashikueshme”, tha ndër të tjera Fatmir Limaj.