Ligji për KPMShCK i dërgohet Presidentes për dekretim
Ligji për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, do t’i dërgohet presidentes së Republikës së Kosovës për dekretim sipas modaliteteve të përcaktuara në Aktgjykimin e Gjykatës dhe pa nenet 2, 6, 7, 8, 9, 10 dhe 11 të Ligjit të kontestuar.
Komisioni për Administratë Publike, Pushtet, ka njoftuar se sipas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës në rastet KO232/23 dhe KO233/23, në bazë të nenit 43 të Ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës, ka shpallur që Ligji nr. 08/L-180 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit nr. 06/L-048 për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, t’i dërgohet presidentes së Republikës së Kosovës për dekretim, sipas modaliteteve të përcaktuara në Aktgjykimin e Gjykatës dhe pa nenet 2, 6, 7, 8, 9, 10 dhe 11 të Ligjit të kontestuar.
Kryetari i Komisionit, Valon Ramadani ka thënë se ky ligji i dërgohet presidentes për dekretim pa nenet e përmendura më lart.
“Ju njoftoj se me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës në rastet KO232/23 dhe KO233/23, mbi Ligjin me nr. 08/L-180 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit nr. 06/L-048 për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, vendimi thotë se nenet 2, 6, 7, 8, 9, 10 dhe 11 të Ligjit janë të kontestuar, andaj është kërkuar që komisioni të përgatis tekstin për ndryshimin e ligjit,pa nenet e shpallura si të pavlefshme”, tha Ramadani.