Kosova

Liderët urojnë fillimin e mësimit

Liderët e institucioneve gjithashtu ata të partive politike, kanë uruar nxënësit me rastin e fillimit të mësimit.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në një postim në Facebook ka shkruar se tashmë është koha që të nxisin cilësinë në arsim, si parakusht për forcimin e përgatitjes profesionale të fëmijëve.

Ai thotë se në këto dy dekadat e fundit është investuar në infrastrukturë duke modernizuar kurrikulat dhe objektet shkollore.

“Në shkollat e Kosovës, sot hapen dyert për fillimin e vitit të ri shkollor 2019/2020, ku për shumë nxënës fillon një rrugëtim i rëndësishëm për ta dhe familjet tyre. Por, suksesi i nxënësve që sot për herë të parë vijojnë ë klasën e parë, do të përcaktojë nesër fatin dhe të ardhmen e gjithë shoqërisë dhe shtetit të Kosovës. Urime fillimi i vitit të ri shkollor të gjithë nxënësve, mësuesve dhe prindërve të Kosovës”, ka shkruar ai.

Edhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ka uruar nxënësit dhe mësimdhënësit për fillimin e vitit të ri shkollor.

Ai thotë se shpreson që ky vit do të jetë i mbarë dhe do të sjellë rezultate të mira për nxënësit, ndërkaq ka siguruar arsimtarët se sakrifica e tyre për t’iu mundësuar nxënësve mësim cilësor, do të shpërblehet.

“Një urim veçanërisht të përzemërt e përcjell për ata nxënës që për herë të parë do të ulen sot në bankat e shkollës, duke nisur kështu një ndër rrugët më të bukura të jetës, rrugën e diturisë. Njëherazi uroj edhe mësimdhënësit, ata që nëpërmjet punës së tyre fisnike në përgatitjen e brezit të ri, kontribuojnë drejtpërdrejtë në të ardhmen e vendit. Urime gjithashtu prindërve në rrugën e përmbushjes nëpërmjet shkollimit, të ëndrrave më të mira që ata kanë për fëmijët e tyre! I siguroj ata se sakrifica që bëjnë për t’u mundësuar fëmijëve arsimim sa më cilësor, një ditë do të shpërblehet”, ka shkruar ai.

I pari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka thënë se është shënuar arritje në ngritjen e cilësisë së arsimit në vend, avancim në planprograme e infrastrukturë moderne në shkolla.

Ai në urimin e tij, ndër të tjera ka shtuar se do të punojnë që shkollat në Kosovë të jenë të modelit të standardeve evropiane.

“Në ditën e parë të shkollës për këtë vit, krah Gjinit, i cili po e nisë një etapë të re të edukimit në Gjimnazin “Loyola”. Kemi shënuar të arritura në ngritjen e cilësisë së arsimit në vend, avancim në planprograme dhe infrastrukturë moderne dhe pandalshëm do të punojmë që shkolla jonë të jetë e modelit dhe standardeve europiane. Urime fëmijëve që ulen sot për herë të parë në bankat e shkollës dhe punë të mbarë mësimdhënësve si bashkudhëtarë në rrugën e dijes. Gjinit dhe të gjithë nxënësve kudo në Kosovë u priftë e mbara në këtë vit të ri shkollor”, ka shkruar tutje ai.

Për fillimin e vitit të ri shkollor ka uruar edhe i pari i Vetëvendosjes, Albin Kurti.

Ai ka thënë se në shkollë fëmija takon shtetin, duke shtuar se nuk është veç dija shkencore që shkolla shtron në sofrën e mendjes, por janë edhe përvojat shoqërore dhe edukimi veror që bëhen pjesë formuese shpirtërore e nxënësve.

“Për nxënësit dita e parë e shkollës qëndron mbi ndërrimin e stinëve, mbi ndërrimin e motmoteve. Ajo e nis organizimin kryesor të përditshmërisë së tyre. Orët e kaluara në shkollë bëhen pjesë e ndërtimit të karakterit. Të gjithsecilit. Mësueset e arsimtaret, shoqet e shokët të klasës, bëhen pjesë e jetës. Andaj nuk është veç dija shkencore që shkolla shtron në sofrën tonë të mendjes, por janë edhe përvojat shoqërore dhe edukimi veror që bëhen pjesë formuese shpirtërore e jona”, ka shkruar ai.

Ai thotë se ngadalë kuptojmë se mësimi nuk është veç për të mirën personale të nxënësit a nxënëses, por për të mirën e shoqërisë në përgjithësi, se mësimi nuk është vetëm tash dhe këtu, e as vetëm për këtë javë, muaj apo vit, por për tërë jetën.

“Ky duhet të jetë orientimi e frymëzimi për gjeneratat e sotme.Duke qenë hallka kryesore e sistemit, e drejta për arsim vjen si buqetë për shumë të drejta të tjera. Paçka se sot nuk është, arsimi duhet të jetë garancia për përcaktimin e jetesës sonë.Në shkollë fëmija takon shtetin. Rritja e cilësisë së arsimit është e drejtë themeltare dhe duhet të jetë objektiv social i qeverisë së ardhshme. Prandaj gëzuar vajzave e djemve fillimin e vitit shkollor”, ka shkruar Kurti.

Edhe kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor, të gjithë nxënësve të arsimit parauniversitar, ua ka uroj një vit të suksesshëm shkollor.

Limaj ka uruar nxënësit të cilët nga sot nisin një etapë të re të jetës së tyre.

“Shpreh mirënjohjen time për të gjithë mësimdhënësit për përkushtimin dhe angazhimin e tyre, të cilët edhe në kohërat më të vështira nuk hoqën dorë nga edukimi dhe arsimimi i fëmijëve tanë. Urime nxënës dhe mësimdhënës. Qoftë një vit i mbarë për të gjithë ju”, ka shkruar ai në Facebook.

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.