Kosova

Liderët heshtin, Kosova në prag të grevave

70 për qind e punëtorëve në sektorin publik, nga muaji dhjetor pritet që të marrin pagat me rritje, por disa ditë para ekzekutimit të tyre, Avokati i Popullit i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese.

Ky veprim ka ngjallur reagime dhe pakënaqësi të shumta, veçmas tek sindikatat që mbrojnë të drejtat e punëtorëve.

Madje, të premten që kaloi, tri sindikatat; ajo e shëndetësisë, e arsimit dhe policisë mbajtën një mbledhje ku kërkuan një takim urgjent me  krerët më të lartë të shtetit, duke iu dhënë afat deri ditën e martë (nesër).

Por, në një përgjigje për Indeksonline, Blerim Syla, kryetar i Federatës Sindikale të Shëndetësisë, ka thënë se deri tani nuk kanë marrë asnjë përgjigje nga ana e liderëve tanë.

“Deri në këto momente nuk kemi marrë asnjë përgjigje. Po ashtu edhe të mërkurën do të mblidhet Këshilli Drejtues për të vendosur për hapat e mëtejmë”, ka thënëSyla.

Edhe kryetari i Sindikatës së Bashkuar së Arsimit, Rrahman Jashari, e ka konfirmuar po të njëjtën gjë për Indeksonline. Madje ai ka shtuar se do të veprojë sipas asaj që do të vendos Këshilli Drejtues.

“Të mërkurën ne tri sindikatat më të mëdha do ta kemi takimin e radhës dhe ta shohim se çfarë do të bëjmë. Ajo që besojmë se do të bëhet është që secila nga kjo sindikatë do t’i thërret këshillat drejtues të tyre, do të raportojnë për situatën aktuale. Këshilli Drejtues i SBASHK-ut, bashkë me kryetarët e niveleve komunale dhe të universiteteve që janë përfaqësuesit e tërë sektorit të arsimit dhe ata do të sjellin vendim meritor duke e analizuar situatën. Dhe vendimin që e sjellë Këshilli Drejtues dhe kryetarët unë do ta zbatojë me përpikëri”.

Albin Kurti ka paralajmëruar që nesër mund të zhvillojë takim më sindikalistes, para se ata të marrin masa më radikale.

Sipas Ligjit të ri, paga mujore më e ulëta është ajo e shtëpiakut prej 322 euro, 621 euro është paga e mësimdhënësve të shkollës se mesme, profesori i universitetit do të marrë 1 505 euro, kryeprokurori 1 912 euro, kryeministri 2151 dhe presidenti i Kosovës nga muaji dhjetor do të marrë pagën mujore në vlerë prej 2390 eurosh./Indeksonline/

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.