Kosova

Liderët e Ballkanit Perëndimor ftohen në takim joformal në Berlin

Berlini pritet të jetë vendtakimi i radhës së liderëve nga vendet e Ballkanit Perëndimor. Takimi është paralajmëruar të jetë joformal dhe se përveç udhëheqësve tjerë, aty janë ftuar edhe liderët e vendeve si Kosova, Serbia dhe Shqipëria. Nikoqirë të takimit, pritet të jenë kancelarja gjermane, Angela Merkel si dhe presidenti francez, Emmanuel Macron.

Deri më tani, këtë takim të thirrur në Berlin e ka konfirmuar presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Gjatë një konference për media në Beograd, Vuçiq ka deklaruar se do të shkojë në Berlin, ku pritet të takojë edhe udhëheqësit e Kosovës dhe Shqipërisë, por ka nënvizuar se nuk pret asgjë nga ai takim.

“Me 29 prill, në Berlin do të kemi takime. Unë do t’i kem disa takime edhe me 30 prill. Pra, nga Serbia jemi ftuar unë dhe (v.j. kryeministrja serbe) Ana Bërnabiq, janë ftuar të gjithë të tjerët dhe veçanërisht janë ftuar Thaçi dhe Haradinaj”, ka thënë Vuçiq.

Pas zgjidhjes së çështjes së emrit ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë, Gjermania dhe Franca kanë ofruar në disa raste ndihmën e tyre për mundësinë e gjetjes së zgjidhjes për problemet ndërmjet Serbisë dhe Kosovës.

Ndërsa ka konfirmuar pjesëmarrjen në këtë takimin joformal në Berlin, Vuçiq ka deklaruar se përderisa është në fuqi taksa doganore prej 100 për qind, të cilën Qeveria e Kosovës e ka vendosur për importet nga Serbia, ai nuk do të kthehet në tavolinën e bisedimeve në Bruksel, ku zhvillohet dialogu politik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nën lehtësimin e BE-së.

Qeveria e Kosovës ka vendosur këtë taksë në nëntor të vitit të kaluar në importet e Serbisë dhe Bosnjës, derisa autoritetet serbe e kanë përdorur këtë masë si arsyetim për mosvazhdim të dialogut me Kosovën.

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.