Bota

Liderët e 27 vendeve të BE-së dhe 6 të Ballkanit, videokonferencë më 6 maj

Gjatë videokonferencës që zhvilluan të enjten për të diskutuar paketat e fondeve për rimëkëmbje të ekonomisë evropiane pas krizës së pandemisë së koronavirusit, liderët e BE-së, me propozim të kryeministrit të Kroacisë, Andrej Plenkoviq, kanë rënë dakord që samiti i Zagrebit, që ishte dashur të zhvillohej më 6 dhe 7 maj në kryeqytetin e Kroacisë, vendi që kryeson me BE-në deri në fund të qershorit, të zhvillohet në formën e videokonferencës më 6 maj.

Kryeministri i Kroacisë, Plenkoviq, ka njoftuar se në këtë videokonferencë do të marrin pjesë liderët e të gjitha 27 shteteve anëtare të BE-së dhe 6 vendeve të rajonit të Ballkanit Perëndimor, shkruan KOHA.

Në të njëjtën kohë, zhvillimin e konferencës përmes videolidhjeve mes liderëve të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor e ka konfirmuar në Bruksel presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel.

Kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviq, dhe presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, tash e disa ditë ishin në kërkim të një zgjidhjeje se si të zhvillohet ky takim, nga i cili Kroacia nuk donte të hiqte dorë. E në anën tjetër, ishte e pamundur që ai të zhvillohej sipas planit më 6 dhe 7 maj në Zagreb.

Ekzistonte ideja që të zhvillohej më vonë në qershor, por askush nuk mund të dijë nëse në atë kohë situata me krizën e koronavirusit do të mundësonte apo jo një takim të tillë. Prandaj edhe u pajtuan që më 6 maj, në ditën kur është dashur të takohen në Zagreb, liderët nga BE-ja dhe ata nga rajoni të zhvillojnë konferencën përmes videolidhjeve. Në këtë mënyrë tashmë BE-ja po i zhvillon edhe takimet e veta dhe i tillë ishte edhe samiti i së enjtes, gjatë të cilit për më shumë se 5 orë u diskutuan detajet rreth formës dhe shumës së mjeteve që do të ndahen për përballje me krizën.

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.