Kosova

Liderët bëjnë homazhe në Prekaz

Liderët politikë të Kosovës kanë bërë homazhe tek kompleksi memorial i familjes Jashari në Prekaz, në shënimin e 108 vjetorit të pavarësisë së Shqipëri, datë që lidhë edhe daljen publike të UÇK-së 23 vjet më parë dhe ditëlindjen e 65-të të komandantit Adem Jashari.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, pas nderimeve tek varrezat e Jasharëve, tha se sakrifica e kësaj familje është ndër ngjarjet më të rëndësishme historike për shqiptarët.

“Në vendin më të shenjtë në ditëlindjen e komandantit Adem Jashari, me sakrificën e familjes tij renditet në listën e ngjarjeve më të rëndësishme historike për liri e pavarësi, krahas veprimtarëve më të mëdhenj të popullit shqiptar. Duke bërë nderime këtu, nderojmë të gjithë të rënët për liri dhe pavarësi”, tha ai.

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, tha se këtu po fillojnë homazhet për të nderuar anëtarët e familjes Jashari, ndërsa shtoi se kjo datë shënon tri ngjarje historike për identitetin kombëtar shqiptar.

“Filluam këtu homazhet sepse 59 anëtarë të familjes Jashari u flijuan në luftë të pabarabartë në atë që sot njihet si Epopeja e UÇK-së dhe ia dha hovin vendimtar çlirimit të Kosovës. Veprimtarë tonë në periudha të ndryshme e kanë 28 nëntorin diell të tyre dhe kështu do mbetet gjithnjë”, tha ai.

Kurti përmendi daljen publike të UÇK-së 23 vjet më parë, ndërsa tha se padrejtësia ndaj atyre që dolën për herë të parë nuk e dobëson Kosovën.

“Padrejtësia ndaj atyre që e shpallën UÇK-në me siguri që nuk do të na dobësojë, do t’i kalojmë këto vështirësi sepse patjetër do të ngadhënjejmë”, tha ai.

E kryetari i komunës së Skënderajt, Bekim Jashari, tha se po përkujtojnë sakrificën e të gjithë dëshmorëve për lirinë e vendit, teksa bëri thirrje për unitet.

“Uroj të jemi të bashkuar siç ishim sot që ta zhvillojmë këtë vend sepse vetëm atëherë mund ta realizojmë amanetin e dëshmorëve”, tha Jashari.