Bislimi: Janë pesë hapa deri te liberalizimi i vizave: Jemi në agjendë më 13 tetor

Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi, ka thënë se tema e liberalizimit për Kosovën është në agjendën e grupit punues më 13 tetor.
Ai ka thënë se vendet anëtare të Bashkimit Evropian i kanë kërkuar një vlerësim Komisionit Evropian lidhur me progresin që e ka shënuar Kosova nga viti 2018 deri tani. Për këtë, ai ka thënë se Qeveria e Kosovës u ka dërguar një imput prej 33 faqesh KE-së i cili pastaj ka përgatitur një raport rivlerësimi që nesër u shpërndahet vendeve anëtare ndërsa javën tjetër diskutohet në mbledhjen e grupit punues për liberalizimin e vizave.

Gjatë raportimit në Komisionin për Integrime Evropiane, Bislimi ka thënë se janë pesë hapa që duhet ndjekur deri të finalizimi i procesit të liberalizmit të vizave derisa ka konfirmuar që Kosova është pjesë e agjendës më 13 tetor.

“Nuk është se ne nuk jemi duke bërë asgjë dhe dikush ka vendosur me na i dhënë vizat si dhuratë, e unë po ju tregoj vetëm hapat, më 13 ka me u nxjerr në votim në grupin e përbashkët për viza dhe nëse këtu kalon mirë shkon faza e dytë ku janë përfaqësuesit e përhershëm të vendeve anëtare, nëse edhe këtu shkon mirë nisë dialogu ndërinstitucional në mes të Parlamentit Evropian dhe Këshillit të Evropës ku dakordohen për këtë”, ka thënë ai.

Pas kësaj ai ka thënë se duhet të votohet për ndryshim të rregullores ku duhet të futet edhe Kosova ndërsa hapi tjetër është votimi në Parlamentin Evropian.

Ai ka thënë se nuk e vlerësojnë të dobishëm të japin data të caktuara se kur presin që të jepet drita e gjelbër në këtë proces por ka shtuar se pret që hapat të përmbyllen në një kohë relativisht të shkurtë.

Ndërsa për zbatimin e marrëveshjes për targat, Bislimi ka thënë se afati për konvertim është 31 tetori dhe se deri tani nuk e kanë parë të nevojshme shterjen e tij.

Bislimi: Ka një presion të tmerrshëm të Serbisë mbi qytetarët serb për mos-konvertimin e veturave

Fatkeqësisht ka një presion të tmerrshëm të Serbisë përmes strukturave të saj kriminale që i mban në Kosovë të qytetarët serb duke i frikësuar ata, duke i shantazhuar në mënyrë që mos t’ i konvertojnë veturat e tyre. Ju e dini që ka pasur një rast të djegies së veturës për personin që e ka regjistruar veturën me targa RKS. Tani afati i fundit është më datën 31 tetor, ne kemi thënë që në rast se kërkesa për regjistrim tejkalon kapacitetet administrative të Ministrisë së Punëve të Brendshme ne jemi të gatshëm të diskutojmë për shtyerje të afatit por deri më tani nuk kemi kurrfarë indikacioni që kërkesa nuk po mundet me u përballë me mekanizma të mjaftueshëm të administratës publike për ta përballuar këtë fluks”, ka thënë ai.

Nga deputetët e opozitës në këtë komision, Bislimi është pyetur edhe për situatën aktuale pas grevës së mësimdhënësve por që ai ka refuzuar të flas për këtë.

Bislimi ka thënë se nuk ka qenë pjesë e agjendës evropiane ekzekutimi i pagave për ata që nuk punojnë.

Ndërsa ka thënë se është shënuar rritje ekonomike prej 10.7% çka sipas tij nuk është progres i vakët siç po thuhet nga opozita.

Por, deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu ka përmendur të dhënat e Bankës Botërore për inflacion prej 19.2%.

Deliu-Bislimit: I keni lënë mësimdhënësit pa bukë dhe e keni sjellë situatën më të rëndë ekonomike ndonjëherë

“Ti sot më lexove statistika, është mbajtur filan takimi, është plotësuar një normë, që janë teknike, ma thuaj një projekt të vetëm kapital serioz brenda këtyre dy viteve të qeverisjes që ne e kemi parë. Në bazë të Bankës Botërore inflacioni sot në Kosovë ka arritur 19.2%, i kemi vetëm 9% investimeve kapitale në Kosovë sot, 800 milion euro po rrinë në qeveri, natyrisht që ato po zvogëlohen çdo ditë për shkak të inflacionit, sot e kemi sektorin privat që nuk e ka asnjë mbështetje të qeverisë. I keni lënë mësimdhënësit pa buke dhe i keni sjellë situatën më të rënduar ekonomike që e kemi pasur ndonjëherë”, tha thënë Deliu.

E sipas Bislimit, qeveria e ka zgjidhjen duke shtuar se e njëjta duhet të vendosë në bazë të ligjit.

Bislmi: Në Kuvend mund të diskutoni për politika sociale por qeveria duhet të vendosë në bazë të ligjit

“Në Kosovë është vetëm një ligjërues i rolit të sindikatave, vetëm unë mund të ligjëroj 16 ditë nëse do. Por jo në Komision për Integrime Evropiane, në Komision për Integrime Evropiane raportoj. Ne e kemi zgjidhjen, sot del kryeministri e tregon zgjidhjen por duheni me kuptu që në rrafshin politik në Kuvend ju mund të diskutoni për politika sociale, kanë me ble dru, nuk kanë me ble dru, qeveria duhet me vendosë në bazë të ligjit. Mos e zhvendosni arsimtarin në nivel social kanë me i ble turshitë nuk kanë para, ajo është sociale”, ka thënë Bislimi.

E deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj ka thënë se partia në pushtet po e sulmon opozitën përmes videove denigruese.

Ajo ka thënë se qeveria duhet të ndërtojë konsensus e jo të publikojë video të tilla të cilat sipas saj mund të detyrojnë opozitën që të mos marrë pjesë në seancat e Kuvendit ku nevojitet vota e tyre.

Kadrijaj: Nëse vazhdoni me video poshtëruese do të na detyroni të lëshojmë seancën e Kuvendit

“Nëse vazhdoni ju prap me ndonjë video tjetër poshtëruese e denigruese, atëherë na detyroni me lëshu seancën dhe mos me votu. Prap do të humb Kosova, e keni obligim ndërtimin e konsensusit, si qeveri vazhdoni me ndërtu konsensusin dhe mos na sulmoni opozitën me video të tjera tmerruese…”, ka thënë Kadrijaj.

Lidhur me këtë video, kritika ka adresuar dhe deputetja e PDK-së sipas së cilës qeveria po përpiqet që paaftësinë e saj për të punuar ta kthejë në akuza për opozitën.

Gjatë këtij raportimi, zëvendëskryeministri i Kosovës ka folur për çështjen e aplikimit për statusin e vendit kandidat për çka ka thënë se nuk ka obligime të caktuara që një vend duhet t’i plotësojë për të ndërmarrë një hap të tillë.

Ai ka thënë se është momenti vendimtar që gjatë këtij viti të bëhet aplikimi.

Go to TOP