Kombëtare

Haziri: Vlerësimi preliminar i dëmit nga vërshimet në sektorin privat është 1.5 milionë euro

Vërshimet në Gjilan shkaktuan dëme të mëdha në sektorin privat dhe sipas vlerësimit preliminar kosto e kalon shifrën 1.5 milion euro, ka bërë të ditur sot kryetari i kësaj komune, Lutfi Haziri.

Për këta, tashmë Komuna e ka njoftuar Qeverinë e Kosovës.

“Punët e tona që i kemi bërë në lumin Mirusha dhe Morava, kanë bërë që parandalohen vërshimet e përmbytjet. Vetëm dalja ujit nga shtrati i lumit Stanishorka është problem, i cili vjen prej Novobërdës dhe kalon përskaj Dheut të Bardhë, në lagjen 2 Korriku, Lagjja e Tregut, të Bahqës së Qytetit dhe livadheve të Malishevës. Dëmi në sektorin privat e kalon shifrën e 1.5 milion euro dhe ne e kemi bërë paraqitjen e parë në Qeveri”, ka thënë Haziri.

Haziri ka kërkuar nga qytetarët e prekur që të bashkëpunojnë me Komisionin, në mënyrë që të bëhet vlerësimi i drejt.

“Komisioni komunal sot është duke e bërë vlerësimin për dëmin në sektorin e ekonomisë se sa kanë pasur ndikim vërshimet dhe sa është dëmtuar ky sektor. Pasi të kompletohet dosja në sektorin privat, në ekonomi dhe bujqësi, shumë shpejt do ta dërgojmë në Qeveri, me kërkesën për zhdëmtim”, tha Haziri të hënën.