Kosova

Lëvizja Vetëvendosje e shtinë dorën te qytetarët për fushatë

Lëvizja Vetëvendosje u ka kërkuar qytetarëve që ta ndihmojnë financiarisht për të realizuar një fushatë, sic thotë njoftimi i partisë, perfekte.

“Të dashur miq e mbështetës të Lëvizjes VETËVENDOSJE!. Si në çdo zgjedhje, ne i drejtohemi qytetarëve për mbështetje financiare. Si subjekti më transparent në Kosovë, ne e kemi patur një mbështetje financiare në rritje, e cila është përkthyer edhe në rezultat më të mirë elektoral”, thuhet në njoftimin që LVV’ja e ka publikuar në Facebook.

Kjo parti thotë se nuk pranon financime nga persona apo bizneset të dyshimta.

“Nuk pranojmë shuma të mëdha. Fuqia jonë bazohet në ndihmat e vogla, që na i jepni shumë prej jush”, thuhet në njoftim.

“Me rastin e zgjedhjeve të 14 shkurtit dhe fitores plebishitare të Lëvizjes VETËVENDOSJE1, ne duhet të bëjmë një fushatë perfekte. Për ta arritur këtë, është e nevojshme ndihma juaj. Cilado shumë që keni mundësi, pa ju ngushtuar e pa ju vënë në vështirësi, neve na ndihmon që ta sjellim më pranë kthesën e madhe. Qeveria Kurti II do të jetë kthim i Kosovës kah e mbara, për të gjithë qytetarët e saj”. Këtë njoftim e kanë shoqëruar me sloganin krejt e drejt që LVV’ja e ka në këto zgjedhje.