Kosova

Leunis Frangu shpallet i pafajshëm, për të tretën herë

Leunis Frangu është shpallur i pafajshëm për të tretën herë më radhë nga Gjykata Themelore në Prishtinë. Ai ka qenë i akuzuar për pjesëmarrje në grupe terroriste, në luftërat e Sirisë.

Këtë aktgjykim e ka shpallur kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Beqir Kalludra, i cili ka thënë se nuk ka prova të mjaftueshme të cilat vërtetojnë se i njëjti e ka kryer veprën penale.

“Ne dy herë e kemi liruar të akuzuarin Leunis. Unë mendoj se ne kemi dhënë arsye shumë të qarta për lirimin e tij. Është e drejtë apo nuk është e drejtë këtë e vlerëson dikush tjetër. Ne kemi qenë pjesë të tre gjykimeve në këtë çështje penale, kemi një dispozitiv të aktakuzës ku thuhet se  i janë bashkëngjitur organizatës terroriste ISIS dhe askund, as në procesverbal, e as në deklaratën e Blerim Sylës, e cila nuk mund të jetë provë e vetme, e as në deklaratat e dëshmitarit të mbrojtur, asnjëherë askund nuk është thënë organizatë terroriste ISIS, kurrë nuk ka qenë kontestuese shkuarja e të akuzuarin në Siri, ushtrimet atje”, ka thënë Kalludra gjatë arsyetimit të këtij aktgjykimi.

Ai po ashtu ka thënë se në gjitha aktakuzat kur nuk ishte vërtetuar saktësisht grupi terrorist edhe në raste të tjera të akuzuarit ishin liruar, prandaj sipas tij, nuk kishin mundur të vlerësonin se grupi kishte qenë terrorist, e aq më pak ISIS apo Al Nustra.

“Derisa nuk është vërtetuar me elemente të veprës penale nuk ka përgjegjësi penale”, ka thënë gjykatësi Kalludra.

Ndryshe, në këtë seancë ka munguar dëshmitari Blerim Syla, i cili sipas gjykatësit Kalludra, sipas informacioneve që posedon gjykata, ai gjendet jashtë vendit, prandaj ishte pamundësuar sigurimi i të njëjtit në këtë shqyrtim gjyqësor.

Ndërkaq, lidhur me dëshmitarin Syla, prokurori special, Atdhe Dema, i ka propozuar gjykatës që meqenëse i njëjti është intervistuar nga policia, më 6 korrik 2015, për arsye të ekonomizimit të procedurës kjo deklaratë të konsiderohet e lexuar.

E mbrojtësi i të akuzuarit Frangu, avokati Armend Shkoza e ka kundërshtuar propozimin e prokurorit Dema, me arsyetimin se asnjëherë më parë nuk i është dhënë mundësia mbrojtjes që të kundërshtojë këtë deklaratë.

Trupi gjykues, i udhëhequr nga gjykatësi Beqir Kalludra, ka aprovuar propozimin e prokurorit Dema, ndërsa i akuzuari Frangu lidhur me mbrojtjen e tij, ka thënë se dëshiron të shfrytëzojë të drejtën që të mos deklarohet lidhur me këtë çështje.

Derisa, prokurori special në fjalën përfundimtare të tij kërkon që i akuzuari Frangu të shpallet fajtor dhe shton se deklarata e dëshmitarit Syla, vërteton se i pandehuri e ka kryer veprën penale, mbrojtja ka thënë se ky dëshmitar është fiktiv.

Avokati Shkoza, ka shtuar se dëshmitari i mbrojtur, i cili ka dëshmuar në seancën e kaluar, vetëm se ka vërtetuar se prokuroria si përfaqësuese e kësaj aktakuze është mbështetur në dëshmi të dëshmitarëve jo kredibil dhe të diskredituar.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë, për herë të parë, më 27 shkurt 2016, të akuzuarin Frangu, e kishte liruar nga akuza për terrorizëm, mirëpo Gjykata e Apelit e kishte aprovuar ankesën e PSRK-së, duke e kthyer rastin në rigjykim, pasi kishte konstatuar se gjykata e shkallës së parë nuk kishte dhënë fakte vendimtare kur kishte marrë aktgjykim lirues.

Apeli, kishte konstatuar se aktgjykimi ishte në kundërshtim me vetveten pasi sipas saj, shkalla e parë nuk e kishte kontestuese se i akuzuari ka qenë në Siri, por lirimin e të akuzuarit e kishte bazuar në atë se nuk dihej se cilës organizatë terroriste i ka takuar Frangu.

Mirëpo, edhe pas kthimit të lëndës në rigjykim, gjykata e shkallës së parë, përsëri me 8 janar 2019, e kishte liruar Frangun nga akuza për terrorizëm.

Gjykatësi Beqir Kalludra, në arsyetimin e shkurtër të këtij aktgjykimi, kishte thënë se nuk ishte kontestuese që i akuzuari Frangu kishte shkuar në Siri, por sipas tij, nuk ishte vërtetuar elementi qenësor i veprës që i akuzuari kishte qenë pjesë e ndonjë grupi terrorist.

Sipas tij, prokuroria nuk kishte sjellë prova të mjaftueshme që i akuzuari të shpallet fajtor dhe se në kohën kur pretendohet se i akuzuari kishte kryer veprën penale nuk kishte qenë në fuqi ligji i cili tashmë sanksion edhe shkuarjen në Siri.

Pasi Frangu për herë të dytë ishte liruar nga akuza, PSRK përsëri kishte parashtruar ankesë kundër këtij aktgjykimi për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave të Kodit të Procedurës Penale.

Këto pretendime të PSRK-së i kishte marrë për bazë Gjykata e Apelit, e cila më 25 nëntor 2019, e kishte kthyer rastin për të dytën herë në rigjykim.

Sipas Apelit, gjykata e shkallës së parë në rigjykim duhet të eliminojë të gjitha paqartësitë në lidhje me atë se cila ishte arsyeja e udhëtimit të të akuzuarit në Siri, nëse ai nuk i ishte bashkëngjitur ndonjë grupi terrorist, sepse sipas Apelit, ai 15-17 ditë kishte ushtruar dhe ishte armatosur.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), aktakuzën ndaj Frangut e kishte ngritur më 25 shkurt 2016, me pretendimin se i njëjti kishte kryer veprën penale “organizimi dhe pjesëmarrja në grup terrorist”, nga neni 143 paragrafi 2 i KPK-së.

Sipas aktakuzës së përpiluar nga prokurori Faik Halili, Frangu pas marrëveshjes paraprake me Blerim Sylën, më 3 nëntor 2014 përmes aeroportit të Prishtinës kishin shkuar në Turqi, ku nga Stambolli thuhet se kishin shkuar së pari në qytetin turk Hatay, e nga atje në një qytet tjetër të Turqisë afër kufirit të Sirisë, me emrin Rehyanli.

Ata pretendohet se kishin kaluar kufirin nga qyteti i përmendur dhe kishin hyrë në Siri ku iu ishin bashkëngjit organizatës terroriste “ISIS”, ndërsa pas qëndrimit një kohë të gjatë në Siri përmes kufirit në Han të Elezit ishin kthyer në Kosovë.