Kosova

Letra që Thaçi ia dërgoi Pompeos për ta penguar punën e Speciales

KOHA ka siguruar edhe letrën që presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ia kishte dërguar sekretarit të shtetit amerikan, Mike Pompeo, më 29 nëntor 2019, lidhur me tentativën për ta penguar punën e Gjykatës Speciale

Thaçi, në këtë letër, i thotë se i shpreh shqetësimin e thellë të institucioneve të Kosovës, në lidhje me Dhomat e Specializuara të Kosovës dhe Zyrën e Prokurorit Special të Kosovës si pjesë e Institucionit Gjykues Special të vendosur në Holandë.

“Institucionet e Kosovës i janë tepër mirënjohës Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në veçanti Zyrës për Drejtësi Globale Kriminale të departamentit të Shtetit, për mbështetjen e vazhdueshme politike dhe financiare për etablimin e mandatit të Dhomave të Specializuara të Kosovës. Sido që të jetë, ju shkruaj që zyrtarisht t’ua sjell në vëmendje shqetësimin tonë që edhe pasi kanë kaluar 5 vjet, që është edhe periudha tranzitore e paracaktuar në fillim, ka pasur pak progres në zbatimin e mandatit të paraparë të Dhomave të Specializuara. Po ashtu, më duhet të shpreh rezerva serioze, në emër të institucioneve të Kosovës, që Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit, nuk kanë dhënë rezultate siç është paraparë me mandatin e vet të përcaktuar në letrat e BE-së me Marrëveshjen me shtetin nikoqir, Holandën”, i shkruan ndër tjera Thaçi Pompeos, raporton KOHA.

Tutje i thotë Thaçi, se Dhomat e Specializuara, janë institucione të brendshme që veprojnë brenda hierarkisë ligjore të Kosovës.

“Me keqardhje më duhet ta shpreh shqetësimin tim që mënyra në të cilën këto institucione gjegjëse vazhdojnë të operojnë është në kundërshtim direkt me atë që fillimisht ishte paraparë dhe ishim marrë vesh”, shkruan Thaçi.

Sidoqoftë, thotë ai, “Kurrë nuk ka qenë qëllim i institucioneve të Kosovës që të gjitha procedimet të barten në shtetin e tretë të caktuar dhe të zhvendosen plotësisht nga sistemi ekzistues i drejtësisë kriminale”.

Me keqardhje të madhe jua sjelli në vëmendjen tuaj këtë shqetësim, por është shqetësim serioz, pas jam i obliguar të reagoj si president i Kosovës, të cilit i janë besuar siguria dhe mirëqenia e qytetarëve, po ashtu nga Kushtetuta dhe ligjet e Kosovës, kultivimi i parimeve të demokracisë, mbrojtja e sigurisë kombëtare dhe ruajtja e sovranitetit të shtetit. Në të kundërtën, identiteti ynë shtetëror, përpjekjet tona për pavarësi dhe sakrificat që i kemi bërë në emër të kombit do të dëmtohen”, i shkruan Thaçi ndër tjera.

“Qëllimi i themelimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës dhe Zyrës së Prokurorit Special të Kosovës ka qenë që të ndërtohet një kornizë vendore ligjore dhe institucionale kredibile për t’i hetuar dhe ndjekur krimet që dyshohet të jenë kryer gjatë 1998-2000 në Kosovë. Në këtë kontekst ka qenë e paraparë që krimet që dyshohet të jenë kryer në të dy anët e konfliktit do të hetoheshin plotësisht dhe në mënyrë të duhur. Është e papranueshme që personat emrat e të cilëve janë përmendur në raporte publike, sic është ai i senatorit zviceran Dick Marty, i publikuar në vitin 2010, i janë nënshtruar për gati 10 vite kërcënimeve se do të hetohen dhe potencialisht të gjykohen”, shkruan ai ndër tjera.

Sot gjatë ditës, KOHA gjithashtu ka siguruar letrën që Pompeo ia ka kthyer Thaçit në prag të 12 vjetorit të pavarësisë. Duke iu përgjigjur “shqetësimit” të Thaçit, në letrën që mban datën 29 nëntor, Pompeo e njofton atë me pasojat që do t’i vuante Kosova nëse e pengon punën e Speciales.

Shfaq më shumë

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.

//dopansearor.com/4/3473483