Kosova

Leksionet e diasporës

Kosovarët vulosën ndryshimin në skenën politike nëpërmjet votës së 6 tetorit. Por është diaspora ajo që, qysh dy vjet më parë, nëpërmjet votës së vet dha mesazhin për ndryshimet që i duheshin vendit nga e kanë origjinën dhe ku i kalojnë ditët e pushimit vjetor, në të cilin shohin ngecje të mëdha krahasuar me shtetet e Perëndimit ku jetojnë e veprojnë.

Në 2017-n, më shumë se 70 për qind e votave që kishin mbërritur në Kosovë nga diaspora i takonin Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), subjekt politik ky që atëkohë ishte ranguar i treti. Më shumë se 50 për qind të votave nga kjo kategori e qytetarëve ishin për të njëjtën parti edhe në zgjedhjet e parakohshme të tri javëve më parë, shkruan sot Koha Ditore.

Pas numërimit të tyre është betonuar fitorja e LVV-së, subjekt që kurrë nuk ka qenë pjesë e ekzekutivit qendror. Ky orientim i diasporës ka bërë që deri tash pushteti të mos u krijojë kushte për votim mërgimtarëve, ani se edhe secilit shtetas jorezident në Kosovë, Kushtetuta ia njeh të drejtën për të zgjedhur e për t’u zgjedhur.

Ata nuk mund të votojnë në ambasadat a konsullatat që Kosova i ka në shtetet ku pjesëtarët e diasporës veprojnë.

Të drejtën mund ta ushtrojnë, ose duke bërë kilometra rrugë deri në Kosovë për të votuar si shtetasit rezidentë, ose nëpërmjet një procedure të komplikuar me postë.

Në zgjedhjet e fundit, shumë kishin vendosur t’i nisnin votat me postë, por mijëra zarfe me fletëvotime, ndonëse të nisura në afat ligjor, mbërritën në Prishtinë pas 6 tetorit, e për pasojë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka refuzuar t’i numërojë, ani se lëshime të kësaj natyre ka bërë në lidhje me votat e pranuara nga Serbia.

Emancipimi politik

Diaspora përbën motorin kryesor ekonomik të Kosovës, e edhe atë kulturor e sportiv, por vota e saj nuk i pëlqeu shumëkujt, veçmas atyre që për kohë të gjatë ishin në pushtet.

Madje pati media që një pjese të votuesve të diasporës u është referuar si “analfabetë”.

Por është dikush që argumenton se mërgata është shumë më e emancipuar politikisht sesa qytetarët që jetojnë në Kosovë.