Kosova

Lekaj tregon pse po ndodhin rrëshqitjet e dheut nëpër rrugë

Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, ka folur për rrëshqitjet e dheut nëpër disa rrugë, rrugët e papërfunduara deri tani dhe për planet që kanë në të ardhmen.

Sa i përket rrugës nacionale N 2, Kaçanik-Hani i Elezit, Lekaj në Express Intervistën në KTV, tha se është mbyllur për shkak të rrezikut që përbën nga rrëshqitja e dheut, e kjo ndodh deri në sanimin e plot të gjendjes.

“E kemi marrë këtë vendim për të siguruar qytetarët, sepse pritet rrëshqitja e dheut në çdo moment, Më mirë të intervenojmë sesa të shërojmë. Jo me dashamirësi e kemi marrë këtë vendim, nuk dihet për sa kohë do jetë e mbyllur, por sa kam informacione, aty pritet të ketë rrëshqitje masive e dheut, diku mbi 1 milion kub metër. Ky projekt do të ketë impakt pozitiv”, tha Lekaj.

Lekaj akuzoi qeverinë e kaluar se nuk kanë punuar mirë në dizajnim të rrugëve, e si për pasojë, ka pasur rrëshqitje të dheut nëpër rrugë të ndryshme.

“Realisht këto projekte nuk janë dizajnuar siç duhet me kriteret që kërkojë, ose s’janë fokusuar në gjeologjinë e projektit që të kemi projekte me jetëgjatësi. Por ne jemi kujdesur për të gjitha projektet e reja e edhe për sanimin e tyre”, tha ai në KTV, duke shtuar se tani e tutje, do të kemi projekte me standarde siç i kërkon rruga apo situata e krijuar.

Lekaj tha se është dakord që të ketë operator të favorshëm që kanë edhe praktika të mira në ndërtimin e rrugëve, e jo ai që është më i liri. Sepse, sipas tij, “po duhet të intervenojmë disa herë në vit, po atakohet edhe buxheti i Kosovës e krejt për shkak të standardit të tyre”.

Deri tani, Lekaj thotë se s’kanë pasur edhe aq praktika të mira, por kompania “Bechtel Enka” thotë se ka punuar mirë.

“Ne që jemi në detyrë kemi përgjegjësi para ligjit e qytetarëve. Nuk kemi pasë praktika të mira deri tani, por Bechtel Enka, ka punuar mirë dhe ka ndërtuar rrugë të mira, por pse kemi rrëshqitje, duhet të pyeten ata madje edhe ekspertët”, shtoi tutje.

Lekaj në Express Intervistën në KTV foli edhe për autostradën “Arbën Xhaferi” dhe urën që po ndërtohet në autostradë.

Ai është shprehur i kënaqur me punimet në këtë urë, e cila do të jetë edhe pjesa më e veçantë e kësaj autostrade, pasi kjo urë do të jetë më e gjata në rajon dhe pjesë të saj do të jenë të larta deri në 80 metra mbi nivelin e tokës.

“Në këtë autostradë është kryer i gjithë fizibiliteti, madje edhe matja e tokës sa është e qëndrueshme. Nuk mund të sigurojmë qind për qind sepse është edhe efekt natyror. Sepse kryesisht pas shiut dhe reshjeve të mëdha po ndodhin rrëshqitjet. Por ne do t’i paraprijmë, do të jemi të vëmendshëm të ndërhyjmë edhe në nevoja të shpejta”, shtoi Lekaj.

Për rrëshqitet e dheut në vendpunishten në Veterrnik, Lekaj tha se s’i ka ardhur mirë, por që po punohet ende në atë rrugë.

“Më vjen keq që s’kam qenë i saktë në kohë në implementim të projektit. Nuk më ka shkuar ndërmend që ai projekt të jetë ashtu siç e kemi gjetur. Fatmirësisht s’kemi pasur pasoja në njerëz, por kemi marrë vendim të krijojmë komisionin që ta gjejmë arsyen se a është faji te menaxheri, operatori, ndërmarrja apo kush e ka fajin. Ky projekt ka qenë i mangët, por tani departamenti që menaxhon rrugët bashkë me menaxherin e këtij projekti, do vijnë në përfundim se kush e ka pasur fajin”, tha ai.

Punimet, ka thënë se do të fillojnë në muajin qershor.

Për autostradat që kanë filluar tash e sa vite por ende s’kanë përfunduar, Lekaj akuzoi edhe Qeverinë e kaluar. Sipas tij, autostrada në Mitrovicë ka qenë disa vjet e prishur dhe nuk është punuar me vite në të.

“Ne i kemi dhënë rëndësi të veçantë. Të hënë do të fillojë puna në këtë autostradë, është zgjedhur edhe operatori. Brenda 2 viteve do të përfundoj puna. Në bazë të kontratës në fakt do dihet saktë kur përfundon i gjithë projekti”, tha ai.

Se a do t’i paguhen kompanisë Bechtel Enka 65 milionët që ka kërkuar, për shkak të gabimeve nga qeverisja e kaluar, Lekaj tha jo. Por, ka shtuar se do të ketë zbritje.

“Bechtel Enka ka kërkuar 65 milionë euro, por kjo shumë s’do të paguhet. Do ketë zbritje. Qeveria do vendos për zbritjet që do bëhen”, tha ai. Për këtë shumë, ai tha se pritet që shumë shpejt Qeveria të dalë me një vendim.