Kosova

Legjitimitetin e zgjedhjes së u.d të kryeprokurorit të Prishtinës do ta vendosë Gjykata

Dy javë pas caktimit të Kujtim Munishit ushtrues i detyrës së kryeprokurorit të Prishtinës, po kontestohet legjitimiteti i këtij vendimi të Këshillit Prokurorial të Kosovës, shkruan sot Koha Ditore.

Zëvendëskryeprokurori i Prishtinës, Ibrahim Berisha, dy ditë më parë ka ushtruar padi ndaj vendimit të KPK-së për ta caktuar ushtrues detyre të kryeprokurorit, prokurorin Kujtim Munishi. Berisha pretendon se ky vendim është i jashtëligjshëm dhe se në rast të mungesës së kryeprokurorit, me automatizëm këtë pozitë e ushtron zëvendëskryeprokurori.

Gazeta qe dy ditë ka tentuar të kontraktojë edhe u.d të kryeprokurorit, Kujtim Munishi e edhe zëvendëskryeprokurorin, Ibrahim Berisha. Të dy nuk u janë përgjigjur thirrjeve të gazetës.

Megjithatë, në Gjykatën Themelore në Prishtinë e kanë pranuar se prokurori Berisha ka ushtruar padi të tillë para dy ditësh.

“Ju njoftojmë se lënda A.nr.1509/19 është pranuar nga gjyqtarja me datën 27.06.2019 bashkë me kërkesën për shtyrje të ekzekutimit të vendimit”, thuhet në përgjigjën që Mirlinda Gashi, zyrtare për informim në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ia ka dhënë gazetës.