SPORT

Legjenda e NBA Stephen Jackson : Do të jem si baba për ty, do të t’i fshij lotët

Ish-basketbollisti i NBA, Stephen Jackson, ia ka dhënë fjalën familjes së George Floyd, duke thënë se do të jetë si baba i dytë për vajzën gjashtëvjeçare të të ndjerit, të cilin e kishte pasur shok të mirë.

I riu amerikan me ngjyrë, George Floyd, vdiq javën e kaluar në Minneapolis pasi Derek Chauvin, një polic i bardhë, ia mbajti gjurin mbi qafë për më shumë se tetë minuta.

Vdekja e tij ka nxitur protesta të shumta në SHBA, të cilat vazhduan edhe të martën, kur familja dhe miqtë e Floyd, si Jackson, e drejtuan një protestë paqësore, para se të mbanin konferencë për media. Në këtë konferencë mori pjesa edhe vajza gjashtëvjeçare e Floyd, Gianna, të cilës ish-ylli i NBA ia dha fjalën se do t’i qëndrojë afër.

“Unë do të jem këtu për të. Do të eci përkrah saj drejt altarit në dasmë. Do të jem këtu për të. Do të ia fshij lotët. Do të jem këtu për ty [duke iu drejtuar nënës së vajzës] dhe Gigin”, tha Jackson.

“Floyd nuk do të jetë këtu, por unë jam këtu për të. Unë jam këtu për të kërkuar drejtësi. Këto gjëra duhet të ndalen”.

Chauvin, i cili u shkarkua nga detyra si polic të martën, u arrestua të premten dhe ndaj tij u ngrit akuzë për vrasje të rangut të tretë.

Vdekja e Floyd ka ngjallur protesta gjatë gjithë javës së kaluar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat kanë vazhduar edhe këtë  javë.

Protestuesit po kërkojnë që të arrestohen edhe tre policët e tjerë që ishin në vendin e ngjarjes dhe që nuk kishin ndërhyrë për ta ndalur kolegun e tyre, Chauvin.