SPORT

Le të rinisë Ligue 1/ Aulas i shkruan letër qeverisë franceze

Presidenti i Lyonit, Jean-Michael Aulas, nuk është dorëzuar në luftën e tij për ta zhvleftësuar vendimin për mbylljen para kohe të sezonit të Ligue 1. Së fundi, ai ka kërkuar që të tërhiqet prapa ky vendim përmes një letre për qeverinë franceze.

Klubi i Jean-Michael Aulas ishte skuadra që pësoi më së shumti nga vendimi për t’i dhënë fund sezonit të Ligue 1, pasi që tabela u finalizua në bazë të pikëve të fituara për ndeshje. Lyoni mbeti në pozitën e shtatë, jashtë garave evropiane për sezonin vijues për herë të parë këtë shekull.

Nëpër vende të tjera evropiane, një numër i ligave, si Eredivisie holandeze Pro League belge dhe Premiership skoceze, i kanë përfunduar para kohe sezonet, ndërsa Bundesliga tashmë e ka rinisur sezonin që dy javë.

Aulas beson se vendimi për përfundimin e sezonit 2019/20 të Ligue 1 ishte i pamatur dhe ende po shpreson se do të mundë ta kthejë prapa këtë vendim dhe të rinisë sezoni.

Ai tani e ka publikuar një letër që fillon: “Letër e hapur për kryeministrin dhe ministrin e sportit, pasi 2 qershori është sinonim i shpresës për futbollin francez”.

Në këtë letër, Aulas argumentoi se Federata e Futbollit e Francës nuk ishte e detyruar të vendosë aq shpejt për mbylljen e sezonit dhe se UEFA nuk u kishte bërë presion ta vendosnin përfundimisht fatin e sezonit aq shpejt.

Ai gjithashtu u shpreh i zhgënjyer që Liga e Futbollit Profesionist në Francë nuk kishte qenë e gatshme të diskutojë për mundësinë e përfundimit të këtij sezoni me ndonjë format alternativ të ligës, si dhe i zhgënjyer me mënyrën se si u vendos në fund tabela – në bazë të pikëve për ndeshje.

Aulas gjithashtu i theksoi shembujt nga vendet e tjera evropiane, ku autoritetet po tentojnë ta rinisin sezonin, dhe e theksoi shqetësimin e tij për ndikimin financiar që mund ta ketë në klube dhe në futbollin francez në përgjithësi vendimi për mbylljen e kampionatit.

Presidenti i Lyonit gjithashtu u ankua që s’kishte pasur mundësi ta apelonte këtë vendim, të cilin ai e quan të padrejtë.