Kosova

LDK: Qeveria s’ka moral politik që të dorëhiqet, duhet mocion mosbesimi

Lëvizja Vetëvendosje po përgatitet për protesta masive për rrëzim të Qeverisë, përveç kësaj ajo po tenton të ngrejë edhe mocion mosbesimi, për të cilin pritet që do ta marrë mbështetjen e të gjitha partive opozitare.

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Haxhi Abdyli, në një prononcim për “Zërin” është shprehur se janë të gatshëm të bashkëpunojnë me Vetëvendosjen në Kuvend për rrëzimin e Qeverisë.

Sipas Abdylit, forma e vetme për të shkuar në zgjedhje është mocioni i mosbesimit, ndonëse edhe protestat janë formë demokratike e legjitime, por të cilat Qeveria aktuale nuk i merr parasysh.

“Qeverinë e tillë në një vend demokratik e rrëzon vetëm mocioni, normalisht protestat e format tjera janë një formë e reagimit qytetar, që janë forma demokratike të shprehjes së një revolte qytetare dhe mendoj që nuk ka asgjë të keqe edhe të bëhen organizime të tilla. Por mendoj që kjo qeveri duhet të rrëzohet me mocion ose me dorëheqje. Por me dorëheqje nuk ndodh sepse këta nuk kanë moral politik dhe nuk besoj aspak që japin dorëheqje”, është shprehur Abdyli.

Sipas Abdylit, është mirë që opozita të bashkëpunojë edhe me deputetë “vullnetmirë” të pozitës që qeverinë “Haradinaj” ta rrëzojnë me mocion, për shkak se Qeveria aktuale nuk ka moral që të dorëhiqet për shkak të protestave të qytetarëve.

//graizoah.com/afu.php?zoneid=3473483