INTERVISTA

LDK-ja s’e jep pozitën e kryeministrit

Deputeti Driton Selmanaj, në intervistë dhënë për “Zërin” ka potencuar se në rast të koalicioneve parazgjedhore LDK-ja nuk heq dorë nga pozita e e kryeministrit.

Sipas tij LDK nuk heq dorë nga kjo pozitë pasi që thuajse në të gjitha sondazhet LDK-ja po del partia e parë më e votuar në vendin tonë.

Zëri: Nëse potencialisht do të ketë koalicioneve parazgjedhore, a do të lëshojë LDK-ja pe për pozitën e kryeministrit?

Selmanaj: Nuk ka asnjë kuptim që kjo të ndodhë. Në Kosovë duhet të vendoset praktika që partia e parë gjithmonë ta marrë kryeministrin. Ne po shohim sot që e kemi kryeministrin nga partia e katërt ose e pestë dhe po shihet fuqia e këtij kryeministri.

Ai ka fuqi mbi dy ministrat e tij, askush tjetër nuk e dëgjon,. Pesha e tij te ministrat tjerë as që vërehet, prandaj ne jemi të interesuar që të kemi një kryeministër legjitim, kompetent për të marrë vendime dhe për të qeverisur me vendin dhe jo një kryeministër spektator i cili nuk pyetet për asgjë. Ne duke e parë këtë situatë po themi se do të duhej të ishte rregull që në Kosovë kushdo që bën koalicione partia e parë ta marrë kryeministrin.

Në këtë drejtim LDK-ja nuk ka asnjë kuptim që të heqë dorë nga kjo pozitë, sepse në të gjitha sondazhet që po bëhen, qofshin vendore ose ndërkombëtare, LDK-ja po del të jetë e para. LDK-ja është parti dukshëm e para nga të tjerat dhe këtë disponim të popullit nuk guxojmë ta zhgënjejmë.

Nuk mund t’ia dhurojmë dikujt tjetër pozitën e kryeministrit.