LBK-ja vizitoi BQK-në, dakordohen për të rritur bashkëpunimin

Përfaqësuesit e Lidhjes së Bizneseve të Kosovës, të kryesuar nga kryetari z. Besart Dreshaj, nënkryetari Hashim Deshishku, anëtare e Bordit, Arijeta Pozhegu dhe Lorik Fejzullahu, sot kanë vizituar Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës ku u priten nga guvernatori, Ahmet Ismaili, me bashkëpunëtorë. Temë diskutimi ishte bashkëpunimi në të mirë të zhvillimit ekonomik në Kosovë dhe sfidat me të cilat po përballen bizneset.

Me këtë rast kryetari Dreshaj, pasi uroi guvernatorin Ismaili, ka adresuar disa çështje me të cilat përballen bizneset e Kosovës, e që në një mënyrë ndërlidhen edhe me sistemin financiar në përgjithësi dhe atë bankar në veçanti.

Guvernatori Ismaili u zotua se kërkesat e bizneseve që ndërlidhen dhe i takojnë fushëveprimatarisë së BQK-së gjithsesi se do të trajtohen, analizohen me kujdes dhe do të bëhen përpjekje në zgjidhjen e tyre, brenda kornizës ligjore.

Çështjet që përkojnë me rritjen e qasjes në financa dhe shërbime financiare, avancimin e kornizës ligjore, e çështje tjera që ndërlidhen me bashkëpunimin në mes të BQK-së dhe përfaqësuesve të bizneseve në vend, do të zënë vend në prioritetet e punës së Guvernatorit.

Lidhja e Bizneseve dhe Banka Qendrore e Republikës së Kosovës u dakorduan për të rritur bashkëpunimin dhe komunikimin në funksion të rritjes së transparencës sidomos për shërbimet e industrisë financiare e bankare, që përkojnë me përkrahje edhe të industrisë si degë e ekonomisë në rrethanat aktuale. /Kosova.info/

Go to TOP