SPORT

Lazio triumfon në finalen e Coppa Italia ndaj Atalantës

Skuadra nga kryeqyteti italian, Lazio, ka triumfuar në finalen e Coppa Italia pasi ka mposhtur skuadrën e Atalantës me rezultat 2:0

Statistikat flasin për një ndeshje të ekuilibruar me dy skuadrat që kishin pothuajse numër të njëjtë të rasteve dhe posedim të topit.
Por, ja që statistikat në futboll nuk kanë dhe aq rëndësi, pasi në fund të ndeshjes ka vlerë vetëm rezultati.

Pjesa e parë u mbyll pa gola dhe kur u duk se ndeshja do të shkojë drejt minutave shtesë, në skenë doli mesfushori Sergej Milinkovic-Savic, i cili shënoi në minutën e 82-të, vetëm tre minuta pas inkuadrimit në lojë.

Atalanta kreu tre zëvendësime, duke u përpjekur me çdo kusht ta barazojë ndeshjen për ta çuar lojën në vazhdime, por në minutën e 90-të Jouaquin Correa shënoi golin e sigurisë për Lazion e Thomas Strakoshës, i cili pati një paraqitje të mirë duke e mbajtur portën e paprekur.

Paraqitje të plotë pati edhe Berat Xhimshiti, kurse Etrit Berisha qëndroi në stol. Kështu, Strakosha fitoi derbin e shqiptarëve.

Me këtë fitore, Lazio siguron automatikisht një vend në grupet e Europa League për edicionin e ardhshëm. Atalanta, në anën tjetër, po lufton fort për të siguruar një vend në UEFA Champions League nëpërmjet Serie A. /Kosova.info/