SPORT

Largimi i Shaqirit nga Liverpooli në verë duket i paevitueshëm

Në këtë periudhë vitin e kaluar, Xherdan Shaqiri, ishte një lojtar tek i cili mund të mbështetej Liverpooli.

Aktivizimi i tij nga bankina në “Old Trafford” në ndeshjen kundër Manchester Unitedi, nënkuptoi se ai u paraqit në 17 nga 19 ndeshjet në elitën angleze, dhjetë prej tyre si titullar.

Me gjashtë gola në atë periudhë, përfshirë edhe dy në ndeshjen në “Old Trafford” në fitoren ndaj Manchester Unitedit, forma e Shaqirit kishte shtyrë trajnerin Juergen Klopp të ndryshonte formacionin, nga i preferuari i tij 4-3-3 në atë 4-2-3-1, gjatë vjeshtës së vitit 2018 dhe në muajt e dimrit.

Por, pastaj erdhi kriza.

Nga të qenit i rregullt te Liverpooli, Shaqiri u transformua në një njeri të harruar.

Në 12 muajt që nga ai udhëtim në “Old Trafford” për t’u ndeshur me Manchester Unitedit, Liverpooli ka luajtur 38 ndeshje në ligë – një stinor të plotë.

Shaqiri është paraqitur në vetëm nëntë prej tyre, e vetëm në dy ishte titullar – një nga to në derbin në “Anfield” ndaj Evertonit në dhjetor ku shënoi golin e tij të vetëm gjatë asaj periudhe.

Në total, Shaqiri ka luajtur vetëm 216 minuta në Premier League gjatë një viti, një shifër që tregon përfshirjen e pakët të tij.

Por, pse ky ndryshim?

Lëndimet, sigurisht, nuk kanë ndihmuar, e veçanërisht në momentet që erdhën ato, shkruan “Liverpool Echo”, transmeton Koha.net.

Shaqiri mori goditjen e parë gjatë fazës para-sezonale duke lënduar pulpin e këmbës gjatë finaleve të Ligës së Kombeve të UEFA-s. Më pas pësoi një lëndim të ngjashëm në shtator, para një serie me shumë ndeshje në League Cup e Ligën e Kampionëve.

Pasi u paraqit në tri ndeshje në Premier League në dhjetor dhe në Botëror të klubeve, mesfushori ofensiv mori një lëndim muskulor, para ndeshjes në shtëpi kundër Wolverhampton Wanderersit, të cilën pritej ta startonte.

Që nga atëherë, ai ka luajtur vetëm 60 sekonda në fitoren në udhëtim ndaj Tottenhamit, para se të pësonte një lëndim nga i cili, Klopp së fundi ka pranuar, se nuk e ka idenë se kur do të kthehet ai.

Gjatë 12 muajve të fundit, ku roli i Shaqirit në Premier League ishte minimal, Liverpooli ka marrë 110 nga 114 pikët e mundshme dhe është pranë të fitojë titullin e parë të Anglisë në 30 vjetët e fundit.

Shaqiri ka luajtur rol të vogël, por Liverpooli ka shkëlqyer pa ta. Ka ecur tutje.

Si Roma ashtu edhe Sevilla u interesuan të huazonin Shaqirin 28-vjeçar gjatë afatit kalimtar të janarit. Por, Klopp insistoi të mos lëshonte asnjë lojtarë në janar.

Shaqiri është i popullarizuar në skuadër dhe i adhuruar nga tifozët.

Por, ndarja e rrugëve në verë, duket e paevitueshme.

Ndonëse ka fituar medalje në Ligën e Kampionëve, Superkupën e Evropës dhe Botëror të Klubeve, e së shpejti edhe të Premier Leagues, karriera e Shaqirit te Liverpooli gjithmonë do të jetë një rrëfim se çfarë ka mundur të jetë.