EKONOMI

Lansohet zyrtarisht tregu online, AgromarketKS

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, ka marrë pjesë sot në lansimin zyrtar të platformës virtuale AgromarketKS, projektit më të ri digjital, i cili do funksionojë si treg i gjelbër online për fermerët e Republikës së Kosovës.

Ministri Faton Peci përshëndeti lansimin e kësaj platforme, të cilën e vlerësoi tejet të rëndësishme për ekonominë e vendit, e në veçanti për sektorin bujqësor.

“Projektet e tilla janë shumë të dobishme, pasi që këto projekte e lehtësojnë qasjen e prodhuesve bujqësor në tregun vendor. Po ashtu gjatë mandatit tim nismat e tilla inovative në sektorin e bujqësisë do ta kenë mbështetjen time të plotë, Krahas kësaj, do të angazhohem në vazhdimësi që përmes avancimit të politikave programore dhe legjislacionit të krijojmë shtigje të reja për prodhuesit bujqësor”, tha Ministri Peci.

Me këtë rast, ai ka falënderuar Agjencinë për Bashkëpunim Ndërkombëtar e Japonisë (JICA), për zhvillimin e këtij projekti, duke shprehur gatishmëri për bashkëpunim të mëtejmë.

Ndërkaq, Shefi i Zyrës së JICA për Ballkan, Jiro Takechi, ka treguar se duke parë krizën pandemike, e cila u shkaktoi fermerëve vështirësi në shitje, JICA e ka mbështetur krijimin e e-tregut të gjelbër. Kjo sipas tij do të iu mundësojë fermerëve si në qasjen e një tregu më të gjerë, po ashtu edhe në promovimin e prodhimeve të tyre.

Ndryshe, projekti AgromarketKS është përkrahje shtesë për fermerët e dëmtuar nga pandemia e COVID-19. Projekti implementohet nga Dhoma Ekonomike e Grave të Kosovës – G7 dhe kompania për konsulencë të biznesit Sigma BMC. Projekti ka edhe mbështetjen e përfaqësuesve të shoqatave të fermerëve, qeverisjes lokale dhe OJQ-ve nga komunat Gjakovë, Suharekë, Partesh dhe Shtërpcë, të cilët janë trajnuar gjatë tre viteve të fundit nga JICA dhe luajnë rol ndërlidhës mes fermerëve dhe projektit. /Kosova.info/