Bota

Lajme të mira nga India, fillon të bie numri i të infektuarve me koronavirus

Në Indi kanë filluar të bien shifrat e infeksionit. Ministria e Shëndetësisë së Indisë ka njoftuar se në 24 orët e fundit janë regjistruar 46.790 të infektuar me koronavirus, duke çuar shifrën totale në afro 7.6 milionë, raporton agjencia Reuters.

Po ashtu janë raportuar 587 të vdekur si pasojë e COVID-19, duke çuar shifrën totale të vdekurve në 115.197.

Shifra e të infektuarve është më e ulëta në tre muajt e fundit.

Por ekspertët kanë paralajmëruar se infeksioni mund të rritet në Indi, pasi festivalet hinduse Durga Puja dhe Diwali do të jenë këtë muaj përkatësisht mesin e muajit të ardhshëm.

Ukraina ka regjistruar një rekord ditor të vdekjeve si pasojë e COVID-19. Në 24 orët e fundit në Ukrainë kanë vdekur 113 persona si pasojë e COVID-19, që është shifra më e lartë në këtë vend. Është katër vdekje më tepër se rekordi që e regjistroi javën e kaluar, ka njoftuar Këshilli për Siguri Nacionale.

Sipas Këshillit shifra totale e rasteve në Ukrainë ka arritur në 309.107, ndërsa 5786 kanë përfunduar me fatalitet.