Kosova

Lajm i mirë për Kosovën: Së shpejti lirohen pacientët të shëruar me COVID -19

Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik të Kosovës (IKSHPK) ka njoftuar se mbrëmë në testimin e dytë të mostrave që dyshohej se janë infektuar me koronavirus, të gjitha mostrat kanë rezultuar negative.

Dje janë testuar 118 mostra në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në Klinikën Infektive, fatmirësisht asnjë rast nuk është konfirmuar se është infektuar me Covid-19.

Salih Ahmeti, infektolog, në Klinikën Infektive bëri me dije se në këtë klinikë janë të shtrirë 43 pacientë me koronavirus.

“10 pacientë janë duke pritur testin, ata janë pranuar mbrëmë”, tha ai sot në Radio Televizionin e Kosovës.

Ai bëri me dije se disa pacientë do të lirohen së shpejti.

“Kosova është mirë në krahasim me vendet e tjera. Brenda disa ditëve do të lirohen disa pacientë. Dje kemi pranuar edhe një foshnjë, gjendja është e mirë fatmirësisht”, theksoi ai.

Ahmeti bëri me dije se janë edhe katër infermiere të infektuara.

Sipas tij mjekët do të jenë gjithherë në shërbim të qytetarëve.