Kosova

Lajçaku së shpejti në Prishtinë dhe Beograd për t’i vendosur modalitetet e dialogut

Përfaqësuesi i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ditëve në vijim do të qëndrojë në Prishtinë dhe Beograd për ta përgatitur terrenin dhe për t’i diskutuar modalitetet në funksion të rinisjes së negociatave mes dy vendeve. Vizitën e Lajçakut në rajon e kanë konfirmuar zyrtarë të Brukselit, të cilët kanë thënë se janë të gatshëm t’i çojnë palët drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, pa vonesa të mëtejme.

“Koha e saktë dhe qëllimi i dialogut varen nga të dyja palët se si do të vendosin. Bashkimi Evropian është i gatshëm që pa vonesa të rifillojë dialogun drejt normalizimit gjithëpërfshirës të marrëdhënieve mes dy vendeve. Në funksion të vënies së bazës dhe diskutimit mbi modalitetet me palët, përfaqësuesi special, Lajçak, ditët në vijim planifikon të realizojë një vizitë në rajon”, ka thënë për “Kohën Ditore”, zëdhënësi për Punë të Jashtme dhe Politika të Sigurisë në Komisionin Evropian, Peter Stano, raporton KOHA.

Rol në fazën finale të dialogut synojnë edhe Shtetet e Bashkuara që e kanë caktuar Richard Grenellin, të dërguar të presidentit Trump për bisedimet Kosovë-Serbi. Në Ambasadën amerikane në Prishtinë i kanë thënë gazetës një ditë më herët se presin veprime të shpejta në funksion të rinisjes së dialogut, teksa kanë kujtuar se njohja e plotë është ajo që duhet synuar në fazën përfundimtare të dialogut. Por nuk kanë treguar nëse amerikanët po përgatitin një takim të radhës mes Kosovës dhe Serbisë.

Rikthimi i palëve në tryezën e negociatave bëhet pas heqjes së taksës nga ish-qeveria Kurti dhe tani heqjes së reciprocitetit nga qeveria Hoti. Serbia kishte kushtëzuar dialogun me heqjen e të gjitha pengesave. Edhe pse partia, së cilës i takon kryeministri Avdullah Hoti kishte premtuar reciprocitet në vend të taksës, LDK-ja u zmbraps nga vendosja e kësaj mase, duke e rrëzuar edhe qeverinë pjesë e së cilës ishte, si përgjigje ndaj kërkesës së amerikanëve. Por Serbia nuk e ka ndalur fushatën për anulimin e njohjeve të Kosovës. Sipas asaj që kanë thënë zyrtarët serbë, Kosova duhet të heqë dorë nga synimi për t’u anëtarësuar në organizata ndërkombëtare të paktën për gjashtë muaj, nëse dëshiron që Serbia t’i ndalë veprimet për kontestimin e shtetësisë së Kosovës.