Kosova

Lajçak tregohet i prerë me Kurtin: Dialogu duhet të vazhdojë pa vonesa të panevojshme

Emisari Special i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak ka folur për marrëveshjen Kosovë-Serbi, duke thënë se arritja e saj  për BE-në është shumë e mundshme.

Ai për Danas ka thënë se një normalizim i raporteve mes dy shteteve është në interes të tërë regjionit e po ashtu edhe BE-së.

“Është në interesin e tyre, në interesin e regjionit, dhe, në interesin e BE-së po ashtu”, ka thënë Lajçak.

Ai shton se SHBA-të dhe Ballkani Perëndimor kanë një histori të gjatë bashkëpunimi, posaçërisht në çështjen e Kosovës dhe Serbisë.

Në këtë kontekst, ai thotë se është duke bashkëpunuar me “kolegët” e tij amerikanë për hartimin e një strategjie për dialogun.

“Bashkëpunimi ka sjellur rezultate të mira viteve të fundit. Unë jam në kontakt të vazhdueshëm me kolegët e mi amerikanë, në mënyrë që të përgatisim një strategji të përbashkët dhe aktivitete të koordinuara”, thotë emisari i BE-së.

Ai ka edhe një mesazh për qeverinë e re që do të formohet në Kosovë, duke thënë se dialogu duhet të vazhdojë sa më shpejtë të jetë e mundur aty ku ka mbetur.

“Mesazhi i BE-së është i qartë: Ne jemi gati të vazhdojmë dialogun ku e kemi lënë në dhjetor, sa më shpejt që qeveria e re në Kosovë të formohet. Jam gati po ashtu ta vizitoj regjionin dhe të takohem me negociatorët sa më parë që kushtet e lejojnë këtë”, thotë ai.

“BE-së e ka thënë qartë se s’ka formë tjetër pos dialogut në rrugën evropiane të Kosovës dhe Serbisë . Po ashtu, vazhdimi i dialogut pa vonesa të panevojshme është në interesin e të gjithëve”, ka thënë Lajçak.

Kjo deklaratë e Lajçak vjen pas deklarimeve të liderit të partisë fituese të zgjedhjeve, Albin Kurti se nuk e ka në prioritet dialogun.

Sidoqoftë, pritet të shihet se cila do të jetë strategjia e Kurtit pasi  që presionin për dialogun e kanë intensifikuar edhe SHBA-të.